Përzgjidhen dy shkollat që do ta përfaqësojnë Kosovën në gara rajonale për kodim

British Council, në partneritet me MAShTI-n kanë shpallur sot tri shkolla fituese, dy prej të cilave do ta përfaqësojnë Kosovën në garën rajonale me projektet e tyre më të mira për Sfidën e Kodimit në kuadër të programit Shkollat e Shekullit 21.

Fitues i vendit të parë ishte shkolla “Dëshmorët e Vitisë”, pastaj shkolla “7 Marsi” nga  Drenasi dhe fitues i vendit të tretë ishte shkolla “Emin Duraku” nga Kaçaniku.

Dy nga fituesit do ta përfaqësojnë Kosovën në garën rajonale të kodimit që do të mbahet në Tiranë në nëntor.

Pas kësaj, fituesi i zgjedhur atje do të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare në Londër.

Me këtë rast,  Angus Bjarnason, drejtor i British Council në Kosovë theksoi se çdo person i ri duhet të ketë qasje në arsim cilësor.

“Ne besojmë se një i ri kudo që jeton do të ketë qasje në arsim cilësor,  që mbështet zhvillimin e tyre personal dhe akademik krahas fitimit të përftimit të shkathtësive të reja të cilat do jenë shumë të rëndësishme për suksesin e tyre në të ardhmen”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott tha se ky program është partneriteti më i rëndësishëm në arsim.

“Ne po punojmë së bashku sepse këto janë aftësitë që i duhen nxënësve si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Kosovë, përfshirë mendimin kritik dhe kodimin”, tha Abbott.

Kurse në fund, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, tha se arsimi është një nga prioritetet kyçe të Qeverisë.

“Siç e dini arsimi është nga prioritet kyçe të qeverisë sonë dhe çdo aktivitet që ka për qëllim rritjen dhe avancim në arsim, shkencë, teknologji dhe inovacion do të mbështet forte nga ne”, tha ajo duke u zotuar se gjatë mandatit të saj do ta fusin si lëndë kodimin.

“Premtoj se lënda e kodimit do të futet në kurikulë qysh në cikilin e ulët fillor dhe do ta realizojë gjatë mandatit “, theksoi ajo.

Programi “Shkollat e shekullit 21” është një program arsimi tre vjeçar, i zbatuar nga British Council dhe ka për qëllim të zhvillojë shkathtësitë kryesore të shekullit 21 të mbi një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor.