
Klasa ku është mbajtur testi i maturës Foto: MASHT
Përsëri publikohen pyetjet e Testit të Arritshmërisë në rrjete sociale
Rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta sot i janë nënshtruar fazës së dytë të Testit të Arritshmërisë.
Por, edhe në këtë fazë sikurse në fazën e parë pyetjet e këtij testi janë publikuar në rrjetet sociale.
Nxënësit kanë publikuar pyetjet e këtij testi në një grup në ‘Facebook’ që është formuar, por edhe kanë krijuar grupe të veçanta në ‘Viber’ të ndara me grupet e testeve, që janë private.
Në grupin në ‘Facebook’ janë rreth 4 mijë anëtarë, kurse në grupin në ‘Viber’ rreth 2 mijë.
Pyetjet e testeve janë nga Matematika, Informatika, Shkencat Natyrore, Fizika dhe Kimia.
Sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, MAShTI kishte ndërmarrë masa ndaj 6 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk ju është lejuar të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit.