Përsëri grevë, SBASHK: Më 12 maj dërgoni fëmijët një orë më vonë në shkollë

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka ripërsëritur se më 12 maj do të ketë grevë njëorëshe në gjithë sistemin arsimor.

“Duke u angazhuar që të mos dëmtohet procesi mësimor organizuam protestën e 8 prillit, që ishte ditë pushimi, dhe me arsye pritem që Qeveria  do ta kuptojë realitetin e do të nis me dialogun e mirëfilltë, por kjo nuk ndodhi dhe prandaj duke u bazuar në zërin e anëtarësisë  jemi të detyruar të vazhdojmë me veprime sindikale dhe njëri prej tyre është edhe greva njëorëshe më 12 maj  në tërë sistemin arsimit, që nga çerdhet e deri në Universitete”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Ata ju kanë bërë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkolla një orë më vonë më 12 maj.

“Pasi që ora e parë e punës në çerdhe, shkolla dhe universitete do të jetë grevë më 12 maj ju drejtohemi me apelin për mirëkuptim prindër  dhe nxënës të dashur duke ju lutur që më 12 maj fëmijët në çerdhe t’i dërgoni një orë më vonë krahasuar me orarin e ditëve tjera. Po ashtu edhe në shkolla fëmijët le të nisen  për të arritur me kohë për në orën e dytë të mësimit. Këtë apel dhe lutje  prindër të nderuar po e bëjmë për hir të sigurisë së fëmijëve tuaj”, thuhet më tej.

Po ashtu, SBASHK ka kërkuar mirëkuptim edhe nga studentët sepse administrata dhe stafi tjetër do të jenë në grevë nga ora 10:00 deri në orën 11:00.

“Të angazhohemi e të urojmë bashkë që Qeveria të angazhohet sinqerisht që në takime përmbajtjesore me sindikatat të ofroj zgjidhje të  pranueshme  për kërkesat legjitime në mënyrë që të mos ketë nevojë  për protesta e grevë të përgjithshme, për çka SBAShK dhe sindikatat tjera janë duke u përgatitur sepse  ky është vullneti dhe zëri i anëtarësisë”, thotë njoftimi.

Më 6 maj, SBASHK ka njoftuar se do të mbahet grevë njëorëshe më 12 maj. Kjo pasi sipas sindikatës, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të realizojë kërkesat e tyre duke përfshirë edhe shtesën në pagë prej 100 euro.

Kërcënimet me grevë nga SBASHK kanë nisur nga muaji shkurt për miratimin e Ligjit për Paga.