Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

Përfundon testi i maturës, MASHTI thotë se do të merren masa ku ka pasur parregullsi

Ka përfunduar me sukses afati i dytë i provimit shtetëror i maturës, kanë njoftuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MASHT).

Nga Ministria e Arsimit ka raportuar që procesi i testimit ka shkuar në nivelin e duhur ndërsa janë zotuar se do të ndërmerren veprime në rastet ku janë evidentuar parregullsi.

‘’Sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës. Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Testimit i janë nënshtruar 6 mijë e 372 maturantë.

‘’Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e dytë, i cili është organizuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), i janë nënshtruar 6732 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë’’ thuhet në njoftimin për media nga MASHT-i.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më 8 shtator.

Rreth 7 mijë maturantë i nënshtrohen sot testit të maturës shtetërore