Përfshihet nga zjarri një shkollë në Podujevë

Shkolla në fshatin Lluga të Podujevës “Ilir Konushefci” është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur në ora 07:30 të mëngjesit dhe nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një objekt (shkollë) në fshatin Llugë të Podujevës. Nuk  raportohet për persona të lënduar. Zjarrfikësit dhe policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar”, ka bërë të ditur për KALLXO.com Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

Ndërsa, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka bërë të ditur se sipas informacioneve të para, deri te zjarri ka ardhur për shkak të problemeve me energji elektrike.

“Sipas informacioneve të para prej zjarrfikëseve që kane qenë aty në vend të ngjarjes, ka pasur probleme me rrymë dhe ka shpërthyer zjarri, por duhet të pritet raporti zyrtar. Nuk ka ndonjë të lënduar dhe vetëm shtëpiaku ka qenë aty dhe ka qenë para fillimit të mësimit”, tha Zhitia për KALLXO.com.

Tutje ai theksoi se nxënësit e kësaj shkolle kanë kaluar në mësim online.

“Drejtori i Arsimit ka marrë vendim që me u kthy në mësimin online kjo shkollë”, shtoi Zhitia.