Pavarësisht kundërshtimeve, Qëndron Kastrati vazhdon me riorganizim të shkollave në Kamenicë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se do të vazhdojë me planin e tij për riorganizimin e shkollave në komunën të cilën ai e udhëheq.

Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka përmendur arsyet të cilat e kanë shtyrë të marrë iniciativën për riorganizim.

“Reforma ka pasur disa qëllime: investime në shkolla, pajisje me laboratorë, socializim i nxënësve, rritje të konkurrencës, zbutjen e dallimeve në cilësi të edukimit fshat-qytet. Të gjithë e dimë që këto probleme ekzistojnë. Dhe të gjithë jemi të obliguar të veprojmë. Nuk kam dëgjuar as sot dikë që pretendon se është më mirë të mësohet me 2-3 shokë klase sesa me 20.”, ka shkruar ndër të tjera Kastrati.

Në këtë postim, i pari i Komunës së Kamenicës ka publikuar edhe vendimin  për riorganizimin e shkollave të tjera.

Sipas vendimit të marrë dje, 5 shkolla pritet të jenë pjesë e riorganizimit, shkollat në Petroc, Topanicë, Karaqevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme, Hogosht.

Në shkollën ‘Avni Rrustemi’ të Karaqevës së Epërme do të vijojnë mësimin edhe nxënësit e shkollës SHFMU ‘Asllan Thaçi’ të Karaçevës së Poshtmë.

Nxënësit e shkollës ‘Xhelal Sopi’ nga Petrovci do t’i ndjekin mësimet në shkollën ‘Rexhep Mala’ në Topanicë.

Në Hogosht do të vazhdojnë mësimin paralelet e ndara të Liskockës, Kopernicës, Dazhnicës dhe paralele të ndara në Poliçkë dhe Velegllavë.

Në shkollën e Shipashnicës së do të vijojnë mësimin nxënësit e Shipashnicës së Poshtme, Desivojcës dhe paraleleve të ndara në Laçiç, Tërstenë dhe Sedllar.

Ndërsa në Muçiverc do të vijojnë mësimin nxënësit e Krenidellit dhe Dajkocit.

Riorganizimit në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga gushti i vitit të kaluar.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Pjesë e projektit kanë qenë 29 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta . Shtatëmbëdhjetë (17) janë shkolla amë dhe dymbëdhjetë (12) janë paralele të ndara. Ndërsa në fazën e parë të riorganizimit janë shuar 4 shkolla.

Rezistencë karshi ‘reformës’ pati nga të gjitha anët, madje prindërit e fshatrave Topanicë e Koretin nuk lejuan që fëmijët e tyre të udhëtonin me autobus.

Për këtë Komuna e Kamenicës paditur 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre, padi e cila më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Vendimi i kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, për riorganizimin ose ‘reformën’ në arsim, nuk ishte përkrahur fare nga banorët e fshatit Busavatë.

Ata kanë kundërshtuar ‘mbylljen’ e shkollës ‘Hasan Prishtina’ dhe transferimin e 107 nxënësve në shkollën ‘Fan Noli’ në Kamenicë.

Në Busavatë 107 nxnënës nuk kanë mbajtur mësim që nga shtatori i vitit të kaluar, për këtë Komuna ka bëtë të ditur që nxënësit do ti nënshtrohen testimit klasor.

Ndërsa ditë me parë Avokati i Popullit ka publikuar një raport i cili ka konstatuar se vendimet e kryetarit të Kastrati janë në kundërshtime me dispozitat ligjore dhe standardet e përcaktuara nga MASHT-i, duke kërkuar rishikim të vendimit.

Postimi i plotë i Qëndron Kastratit:

Kur diskutonim për premtimet gjatë fushatës zgjedhore, në krye të listës ishin projektet infrastrukturore: ujësjellës, kanalizim e rrugë. Një temë që diskutohej më shumë në nivel të ëndrrës sesa të planit ishte rregullimi i gjendjes në arsim. Me të nisur punën në komunë kemi filluar ta hulumtojmë arsimin, para të gjitha planeve tjera. Sepse megjithatë ndërgjegja na çonte tek përmirësimi i kushteve të fëmijëve. Filluam të kuptojmë për klasë me 2 fëmijë; në vizita terreni gjenim shkollë të mbyllur; një mësues po mungonte në klasë, tjetri ankohej për mungesë motivi për të mësuar kaq pak nxënës; stufa e ndezur në sallë të arsimtarëve, e acar në klasë ku ishin nxënësit. Ende ishte në nivel ankesash e informatash të pakualifikuara.

Fillova të takohem me specialistë kombëtar të arsimit (shumë prej tyre i njihni dhe respektoni) e ndërkombëtar. Të gjithë më thonin që veprimi më i duhur është riorganizimi, por do t’ishte vështirë të menaxhoheshin mësimdhënësit tepricë, s’do të kishte mjete për të organizuar transportin etj. Në biseda me qytetarë, shumica absolute pajtoheshin që ka nevojë për një menaxhim më të mirë dhe se fëmijët po e pësonin.

Ne filluam të hulumtojmë edhe më seriozisht gjendjen. Qindra statistika, dhjetra vizita në shkolla për skanim të gjendjes, dhjetra takime me akterë të ndryshëm, dhe në fund erdhëm tek një raport i cili përshkruante gjendjen dhe disa rekomandime kryesore për reagim. Me prezantimin e nismës për riorganizim erdhën zgjedhjet nacionale. Ndërhyrjet në narracion ndodhën, premtime gjithandej për një votë, pafytyrësia e zakonshme e zgjedhjeve. Projekti po sfidohej mjaft shumë. Ngarkesa rritej. Por, obligimi për përmirësimin e kushteve të fëmijës mbetej i njëjti.

Reforma ka pasur disa qëllime: investime në shkolla, pajisje me laboratorë, socializim i nxënësve, rritje të konkurrencës, zbutjen e dallimeve në cilësi të edukimit fshat-qytet. Të gjithë e dimë që këto probleme ekzistojnë. Dhe të gjithë jemi të obliguar të veprojmë. Nuk kam dëgjuar as sot dikë që pretendon se është më mirë të mësohet me 2-3 shokë klase sesa me 20. A s’është kjo arsye për të bërë ç’mundemi për të ofruar shkollim cilësor për fëmijët tanë? Si mund të ankohemi për një udhëtim 30 minutësh përballë një gjendje të rënduar të mësimdhënies me 2 nxënës për 5 orë?

Kemi punuar me tri qeveri me rradhë. Qeveria Haradinaj, qeveria Kurti, qeveria Hoti. Takime të shumta dhe të gjithë janë dakorduar që: 1. Nevoja për riorganizim ekziston. 2. Kjo është kompetencë e komunës.

Unë nuk kam kandiduar për kryetar për të korrë privilegjet e kësaj pozite. Një darkë zyrtare prej 28 euro për një vit është tregues për këtë. Synimet e mia janë obligime për kontribut shoqëror. Kështu jam brumosur, të këtillë kanë qenë heronjtë e mi. Kur kam marrë vendimin për reformë në arsim shtytja ime ka qenë nevoja, jo rezultati elektoral. Kjo është e drejta, pavarësisht cfarë ka ndodhur tash e dy dekada në shoqërinë tonë.

Në diskutime me kolegë kemi shqyrtuar modalitete të ndryshme. Prezantimi i parë ka qenë modeli ideal, ku pa dallim prejardhje, prapavije ekonomike a tjetër, të gjithë nxënësit e Kamenicës do t’ishin pjesë e një ambienti të denjë mësimor. Mirëpo, situata nuk ishte mirëkuptuese para një qëllimi të sinqertë, të hulumtuar mirë, të argumentuar mirë. Transporti ishte siguruar, kontrata kolektive ishte përpiluar, punën tonë e kishim kryer. Argumentet kryesore kundër ishin: unë nuk e përkrah se nuk po ta përkrahin populli. E populli nuk e përkrahte se individë të caktuar ndikonin e fusnin frikën. Cikël i mbyllur. Partitë politike dhe individë të caktuar në komunitete nuk dilnin në debate, por ia vënin flakën kundërshtimit. A ishte e pandershme, jokorrekte? Jashtëzakonisht. Edukimi ka qenë dashtë të jetë temë unifikuese, më shumë se tema të mëdha kundër Sërbisë. Analfabetizmi funksional është armiku i jonë i së tashmes.

Jemi ku jemi, dhe sot konkludojmë biseda të vazhdueshme me komunitetin, angazhim ditë e natë për zgjidhjen më të mirë. Sot mësimdhënësit të cilët kanë nënshkruar kontratën kolektive paguhen ashtu siç është premtuar dhe nuk jetojnë me stresin se nesër s’do të kenë normë të mjaftueshme. Shkolla “Fan S. Noli” është projektuar dhe do të ndërtohet një projekt ultra modern kampusi të cilin do ta prezantojmë këto ditë. Renovime në shkolla janë kryer dhe do të vazhdojnë me intensitet të shtuar. Rreth 1.5 milionë euro investime në shkolla vetëm në 3 vjet qeverisje – që s’ka ndodhur kurrë. Asnjëherë më parë.

Ne po i mbajmë premtimet tona. Një-nga-një po realizohen. Këtë e diskutuam edhe në takimin e mbajtur dje me prindër e drejtorë shkollash. Në një takim të gjatë ku prezantuam investimet që kanë ndodhur, ne ishim të hapur për diskutim në lidhje me atë se si do të shkohet para. Kishte të atillë që e mbështesin projektin në princip, por e kundërshtojnë për shkak të presionit të jashtëm. Dhe kishte të tjerë pjesmarrës që e mbështesnin një model të ndërmjetmë të reformës. Këta janë përfaqësuesit e shkollave dhe përfaqësuesit e prindërve me të cilët erdhëm deri tek ky kompromis.

Sot modeli i reformës që po prezantojmë është rezultat i diskutimeve të shumta. Falënderoj të gjithë ata që kanë qenë konstruktiv në këtë proces. Unë jam i bindur që çdo nxënës i Komunës së Kamenicës do të jetë më mirë se ç’ka qenë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gra