Pas raportimit të KALLXO.com, shtyhet afati për pranimin e fletëpagesave në Fakultetin Juridik

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, ka njoftuar studentët e nivelit Master se afati për dorëzimin e fletëpagesave për paraqitjen e provimeve është shtyrë deri më datën 22 nëntor.

Ky fakultet megjithatë nuk ka njoftuar pse është bërë shtyrja e këtij afati dhe pse nuk kanë punuar administrata gjatë ditës së djeshme, e që ishte dita e fundit për dorëzimin e fletëpagesave.

KALLXO.com dje ka raportuar se  administrata e këtij fakulteti ka qenë në varrim, derisa studentët kishin pritur me orë për të kryer këtë procedurë dhe nuk kishin marrë asnjë arsyetim.

Personeli i administratës kishin qenë në varrimin e nënës së Dekanit të këtij fakulteti, Haxhi Gashi.

Rreth 20 studentë që ishin në pritje thanë për KALLXO.com se për më shumë se një orë kanë pritur që të hapen sportelet për verifikimin e fletëpagesave, por sipas tyre, askush nga personeli i administratës apo dikush tjetër nga menaxhmenti nuk kanë dhënë sqarime për situatën.

Asistenja e dekanit, Sevdije Rexhepi kishte thënë për KALLXO.com  se personeli i administratës dhe menaxhmenti, kanë shkuar në varrim me rastin e vdekjes së nënës së dekanit.

 

Administrata e Fakultetit në varrim, studentët e Juridikut presin për dorëzimin e fletëpagesave

www.kallxo.com