Pas raportimit të KALLXO.com, rikthehet nga fillimi vlerësimi i aplikuesve për doktoratë në Fakultetin Juridik

KALLXO.com më 4 dhjetor kishte raportuar se tre aplikues për studime të doktoratës në Fakultetin Juridik, pavarësisht se kishin përfunduar të gjitha procedurat e një konkursi, përfshirë testin me shkrim dhe intervistën, nuk i morën asnjëherë rezultatet.

Kjo pasi që Fakulteti Juridik, konkretisht anëtarët e komisionit vlerësues kishin marrë vendim që ta kërkojnë anulimin e konkursit me arsyetimin se ka mungesë të kuorumit për shqyrtimin e testeve.

Mungesa e kuorumit sipas tyre erdhi pasi disa anëtarë dhanë dorëheqje nga komisioni dhe zëvendësimi i tyre nuk u bë.

Kandidatët, Faton Fetahu, Egzon Doli dhe Flamur Sallahu, kandidatë të këtij konkursi, kishin kundërshtuar anulimin e konkursit, dhe kishin bërë ankesë në lidhje më këtë çështje te rektori, Marjan Dema dhe Senati i UP-së, duke e quajtur të kundërligjshëm.

Më pas, Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e 17 dhjetorit kishte rekomanduar që të kthehet në Këshill të Fakultetit Juridik edhe njëherë ky konkurs.

Pas këtij raportimi, Këshilli i Fakultetit ka vendosur që të rifillojë nga fillimi procesin e vlerësimit të kandidatëve.

“Ju njoftoj se në bazë të rekomandimit të Senatit, me vendim të Këshillit të Fakultetit është vendosur të rifilloj procesi i vlerësimit të kandidatëve. Me datë 08/01/2020, ora 10.00 mbahet testi me shkrim, ndërsa me datë 09/01/2020, ora 10.00 mbahet intervista. Rezultatet shpallen më së largu deri me datë 10/01/2020, ora 16.00”, ka bërë të ditur për KALLXO.com dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi.

Fakulteti kërkon anulimin e konkursit në fazën e fundit, kandidatët revoltohen

www.kallxo.com