Parlamenti Studentor i UP-së nuk tërhiqet nga kërkesa për afatet shtesë të provimeve, ftojnë përsëri studentët në protestë
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka reaguar pas konferencës për media të rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu në lidhje me kërkesën e tij për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.
Parlamenti Studentor i UP-së shprehet i shqetësuar lidhur me deklarimin e rektorit Hajrullahu se “disa studentë apo grupe studentësh janë të financuar për të instrumentalizuar dhe për të krijuar mjegull sikur menaxhmenti i UP-së është kundër studentëve”.
Këtë deklarim të rektorit Hajrullahu, Parlamenti e ka vlerësuar si “akuzë të pabazë”, ndërsa e ka inkurajuar Hajrullahun dhe të tjerët që kanë fakte për këtë çështje, t’i publikojnë dhe t’i adresojnë në organe të drejtësisë.
“Deklarojmë publikisht dhe me përgjegjësi të plotë se kjo akuzë është e pabazë dhe se me plotësimin e kërkesave tona të kahmotshme e që nuk janë vetëm ndaj këtij menaxhmenti, ne do të tërhiqemi nga bojkotimi i mësimit dhe thirrja për protestë, pasi jemi duke përfaqësuar interesat dhe vullnetin e mbi 5,000 studentëve që kanë nënshkruar mbajtjen e afateve shtesë” – thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor të UP-së, më 08.11.2024.
Sipas Parlamentit Studentor të UP-së, ka tendencë për t’iu dhënë ngjyrime dhe për t’i shtrembëruar kërkesat e studentëve, të cilën e kanë konsideruar të ulët dhe të papranueshme.
“Ne si Parlament do t’i dënojmë këto veprime. Pretendimet e Rektorit se vlerësimi i vazhdueshëm është zgjidhje për situatën e krijuar i kundërshtojmë kategorikisht, pasi kjo nuk është zgjidhje për studentët të cilët paraprakisht i kanë ndjekur ligjëratat dhe ushtrimet dhe nuk ka projekt të mirë analizuar për implementimin e vlerësimit të vazhdueshëm” – kanë shtuar nga Parlamenti.
Parlamenti Studentor i UP-së shprehet i palëkundur në kërkesën e tij për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.
“Përderisa nuk ekziston një projekt i analizuar dhe i dëshmuar për ngritjen e cilësisë, reformat e tilla radikale i penalizojnë kolegët tanë dhe në këtë situatë zgjidhja e vetme është mbajtja e afateve shtesë duke u fokusuar në përmirësimin, implementimin dhe para së gjithash respektimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës, respektivisht nenit 114, i cili parashikon 7 pikat e vlerësimit të vazhdueshëm nga stafi akademik” – kanë thënë nga Parlamenti.
Parlamenti Studentor i UP-së në faqen e tij zyrtare në Facebook teksa ka treguar se studentët e UP-së kanë bojkotuar mësimin më 07.11.2024 dhe 08.11.2024, ka treguar po ashtu se përfaqësuesit e tij e kanë braktisur mbledhjen e komisionit për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve të mbajtur më 08.11.2024.
“Komisioni u mblodh sot, ditë e premte, në orën 11:00, ku katër përfaqësuesit e studentëve morën pjesë vetëm në fillim të mbledhjes. Ata shprehën qëndrimin e tyre të qartë dhe të paluhatshëm, duke theksuar se nuk mund të diskutohet vetëm për një afat shtesë, por për afate shtesë. Kjo kërkesë, megjithatë, nuk u mor parasysh nga anëtarët e komisionit, çka çoi në vendimin e studentëve për të braktisur mbledhjen, duke e cilësuar si një mosreflektim nga ana e Menaxhmentit të UP-së ndaj kërkesave tona” – kanë thënë nga Parlamenti.
Si rrjedhojë, ata i kanë ftuar studentët të protestojnë më 12.11.2024, në ora 10:00, tek Rektorati i UP-së, për realizimin e kërkesave të tyre.
Më 06.11.2024, Parlamenti Studentor i UP-së u bëri thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin, pasi janë të pakënaqur me vendimin e rektorit Hajrullahu për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, të cilin thanë se e kanë pranuar po atë ditë.
Për dallim nga vitet tjera akademike kur janë mbajtur afatet shtesë të provimeve, në Statutin e ri të UP-së, mbajtja e afateve shtesë të provimeve nuk përmendet.
Nga Parlamenti Studentor i UP-së i kërkuan rektorit Hajrullahu korrigjimin e një pike të vendimit të tij për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.
Sipas Parlamentit, rektori emëroi komision të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e një afati shtesë të provimeve, ndërsa i kërkoi që vendimi të korrigjohet në “diskutimet mbi afatet shtesë (afati i Nëntorit dhe i Prillit).
Në të njëjtën ditë, rektori Hajrullahu iu përgjigj Parlamentit Studentor të UP-së për korrigjimin që ia kërkoi në lidhje me vendimin që rektori ka marrë më 06.11.2024 për kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve – afatin e nëntorit dhe prillit.
Një dokument që këshilltari për media i rektorit Hajrullahu, Bekim Muhaxheri, ka ndarë me KALLXO.com, më 06.11.2024, përmban përgjigjen që, sipas tij, rektori ia ka drejtuar Parlamentit Studentor të UP-së.
Sipas përgjigjes së rektorit Hajrullahu, Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 30.10 2024 ka aprovuar kërkesën e shtruar nga senatorja e Parlamentit Studentor në Senatin e UP-së, që të diskutohet si pikë e rendit të ditës kërkesa për mbajtjen e afatit të provimeve të nëntorit.
Hajrullahu i ka thënë Parlamentit Studentor të UP-së se komisioni i përkohshëm për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve u emërua dhe votua nga Senati i UP-së, në përbërje nga prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime – Naim Jerliu, prodekanët për çështje mësimore të të gjitha fakulteteve të UP-së, katër përfaqësuesit nga radhët e studentëve dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Besnik Loxha.
Ndërkaq, mbledhja e parë e këtij komisioni të formuar për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve u mbajt më 08.11.2024, në ora 11:00.