Paralajmërohet grevë urie nëse s'rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë

Një grup nxënësish që pretendojnë të bëhen studentë të Fakultetit të Mjekësisë, kanë protestuar sot para zyrës të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ndaj vendimit të këtij institucioni që të mos rritet numri i studentëve të rinj në këtë fakultet për vitin e ri akademik.

Nxënësit madje paralajmëruan edhe grevë urie nëse nuk bëhet një zgjidhje për ta.

“Migrimi i mjekëve do të shkaktojë mbyllen e shumë spitaleve në dhjetë vitet e ardhshme, andaj vendimi i KShC është në kundërshtim me interesat nacionale dhe i bënë dëm të ardhmes së Kosovës.  Nëse deri të hënën nuk bëhet zgjidhje ne do të fillojmë grevat e urisë, këtu në Qendrat e Studentëve për të kërkuar të drejtat tona”, tha përfaqësuesja e nxënësve, Vlera Halili.

Halili po ashtu theksoi se nuk janë të informuar se mbi çka është bazuar KShC që të marrë këtë vendim.

“Nuk jemi të informuar nga askush në çka është bazuar vendimi për mohim nga ana e KSHC pas shpaljjes së tij në media. Nuk duam të jemi preh e hatër mbetjeve të personave apo institucioneve të caktuara. Shkaku i këtyre mos marrëveshjeve ne kemi mbetur në rrugë pa zgjidhje, duke qenë se na kanë humbur afatet e aplikimit nëpër universitet e tjera”, shtoi nxënësja.

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e KShC, Gazmend Luboteni, por se deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 26 korrikut kishte vendsour që të mos rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kështu duke e hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për këtë çështje.

Ndërsa, pas këtij vendimi MAShT insistonte se duhet të zbatohet vendimi i tyre për studentët e Mjekësisë,  i cili muaj më parë  kishte miratuar kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, për vitin akademik 2019/2020 në nivelin Bachelor.