PAMJE - Objekti i Fakultetit të Bujqësisë të UP-së në gjendje të mjerueshme

Mure të çara e me myk e fasada të plasaritura – janë disa nga pamjet që mbizotërojnë në objektin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me të hyrë në katin e parë të objektit ndjen kundërmimin e mykut.

Pamjet që hasen në fillim të japin përshtypjen se nuk gjendesh në një hapësirë ku studiohet.

 

Në gjendje jo aq të mirë janë edhe klasat ku mbahen ushtrimet. Në to shihet plasaritje e fasadës.

Në këtë Fakultet po ashtu ka mungesë edhe të ngrohjes qendrore dhe në klasa dominon të ftohtët.

KALLXO.com ka kuptuar se aktualisht një pjesë e menaxhmentit është bartur pak metra më poshtë, tek objekti i Gjimnazit Matematikor.

Në objektin e Gjimnazit shihen studentë që presin për të hyrë në provime.

G.L., studente e vitit të tretë, tha për KALLXO.com se që një kohë të gjatë ligjëratat dhe provimet i mbajnë në Gjimnaz, ndërsa ushtrimet i mbajnë në objektin e Fakultetit.

“Tash jemi duke pritur këtu të mbahet provimi, por për shkak të mungesës së ngrohjeve dhe gjendjes së Fakultetit që një kohë të gjatë jemi duke i mbajtur këtu në Gjimnaz”, tha ajo.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje dekanit të Fakultetit të Bujqësisë, Bedri Dragusha, për ta pyetur pse është kjo gjendje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ndërtimi i një objekti të ri të Fakultetit të Bujqësisë kishte nisur në vitin 2013 por ende nuk është funksionalizuar.

Para disa ditësh, organizata studentore ‘Studim Kritikë Veprim’, kishte protestuar para rektoratit të UP-së për vonesat e mosfunksionalizimit të objektit të ri.