ORCA: Në vitin 2021 janë njohur 526 diploma të fituara në universitet botërore

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka publikuar raportin e tretë “Raporti i Monitorimit të Qendrës Kombëtare për Njohje të Diplomave (NARIC Kosova)”.

Në këtë raport bëhet e ditur se janë monitoruar të gjitha mbledhjet e mbajtur nga Këshilli Shtetërorë për Njohje.

“Është raporti i tretë që ne po e publikojmë, i cili përmban të dhëna të grumbulluara  nga periudha nëntor -dhjetor 2020 dhe janar-dhjetor 2021”, ka thënë Liridona Ademaj nga ORCA.

Në periudhën nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, zyra e NARIC  ka njohur gjithsej 139 diploma, 51 diploma janë të nivelit Bachelor, ndërsa 68 diploma të nivelit Master dhe 20 diploma të nivelit të Doktoratës.

Ndërsa, në vitin 2021 janë njohur gjithsej 526 diploma, në nivelin Bachelor kanë qenë 158 diploma, në nivelin Master kanë qenë 282 diploma dhe në nivelin e Doktoratës 85 diploma.

Kumrije Gagica nga NARIC  ka theksuar se problemet me të cilat përballen janë si mungesa e data bazave online, stafi të pamjaftueshëm.

“Deri në këtë pikë ku kemi ardhur si qendër janë si rezultat i punës së stafit të NARIC. Numri më i madh i diplomave veç se është njoft, por kemi edhe raste të cilat kanë rezultu edhe në vendime për njohje, shpesh herë ka ndodhë që këto vendime për njohje të rikthehen ose të merren vendime për njohjen e këtyre diplomave”, ka thënë Gagica.

Në periudhën janar-dhjetor 2021 ka 203 diploma në cilat janë në proces të njohjes.