ORCA kërkon dorëheqje ose shkarkim të ministrit të Arsimit

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar që ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, të dorëhiqet ose të shkarkohet pas deklaratave me të cilat mohon se është avancuar përmes plagjiaturës.

“Lidhur me situatën ku Ministri aktual i arsimit, Ramë Likaj është i përfshirë në aferën më të madhe të plagjiaturave dhe mashtrimit akademik në UP, në vitin 2018 ORCA pati zbuluar se punimet që janë marrë parasysh për propozimin për avancimin e 8 profesorëve ku bënte pjesë edhe Ramë Likaj, ishin të publikuara në revista jokredibile.”, thuhet në reagimin e ORCA-së.

Tetë profesorët të cilët ORCA i kishte quajtur “SUPERMENËT”, sipas tyre thuhet se kanë publikuar punime shkencore në  dy revista jo kredibile.

“Shumica e publikimeve të SUPERMENËVE të UP-së, ishin bërë në dy revista. Për këto dy revista ORCA pati zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Ëikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e kishte botuesin të listuar si të dyshimtë.”, thuhet tutje.

Më tej thuhet se me  kërkesë të Këshillit të Etikës, sipas afateve të dhëna, ORCA pati dorëzuar: 3 analiza profesionale për revistat e dyshimta të mbështetura edhe nga pioneri i listimit të revistave të dyshimta, eksperti i njohur globalisht, profesori amerikan Jeffrey Beall; 1 komunikim të ORCA-s me platformën indekuese SCOPUS ku bëhet e ditur se revistat janë në rishqyrtim nga platforma në fjalë; dhe hulumtimin e detajuar të ORCA-s për 38 punime që përmbanin plagjiaturë – kopjim pa citim apo referencim, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj si dy punime të ndryshme.