Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ORCA: Dorëheqja e anëtarëve të KShC-së, e pritshme por e panevojshme në këtë kohë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka reaguar pas dorëheqjeve të 5 anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

ORCA ka theksuar se e respekton dorëheqjet e anëtarëve ndërkombëtar për mos deklarim të pasurisë, por sipas tyre ligjet duhen respektuar për të gjithë njëjtë.

“Tre nga të dorëhequrit janë anëtarët ndërkombëtarë të cilët nuk janë njoftuar me kohë për detyrimin sipas ligjeve të Kosovës, që si zyrtarë të lartë ta deklarojnë pasurinë e tyre. ORCA respekton qëndrimin e tyre për ruajtje të privatësisë së tyre, por po ashtu, thekson se ligjet duhen respektuar për të gjithë njëjtë. ORCA mendon se ky detyrim duhet ose të hiqet për anëtarët ndërkombëtarë në të ardhmen ose të gjenden anëtarë ndërkombëtarë që pranojnë ta deklarojnë pasurinë para se të emërohen në pozitë”, thuhet në reagimin e tyre.

Kurse, dorëheqjen e dy anëtarëve vendor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gamend Lubotenit dhe Vjollca Krasniqit, ORCA e sheh si të panevojshme në këtë kohë.

“Sidomos të znj. Krasniqi e cila edhe ashtu do ta përfundonte mandatin në muajin prill 2021. Vlen të theksohet se anëtarët e dorëhequr nuk njihen për rol konstruktiv brenda KShC-së, për më tepër ata kanë luajtur rol aktiv në tentimin për ta ndalur monitorimin e KShC-së nga shoqëria civile dhe mediet. Dorëheqjet e tyre si kryetar dhe nënkryetare, do të kishin më shumë kuptim në të kaluarën kur Agjencia pati dështuar të kryente funksionet e saj”, thuhet më tej.

ORCA i ka kërkuar Qeverisë në detyrë që të mos bëjë asnjë hap tutje në drejtim të emërimit të anëtarëve të rinj.

“Siç dihet, emërimi i anëtarëve të rinj duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës dhe kjo kërkohet me Nenin 7, pikën 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovës, çka është e pamundur të ndodhë deri pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Edhe ashtu anëtari Binak Beqaj, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i emëruar nga kjo Qeveri nuk ka kaluar nëpër Kuvend, çka e bën atë anëtarë ilegal dhe i cili do të ishte mirë të jepte dorëheqje po ashtu”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Sipas tyre, Qeveria e re duhet ta ketë top-prioritet emërimin transparent të anëtarëve të rinj dhe miratimin e tyre në Kuvend sipas ligjeve në fuqi.

“ORCA do të vazhdojë ta mbështes Agjencinë e Akreditimit dhe administratën e saj në kryerjen e funksioneve të veta ditore në menaxhimin e procesit të akreditimit, i cili mund të vazhdojë pa asnjë pengesë deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, është thënë në fund.

Kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë dhënë dorëheqje.

Siç merr vesh KALLXO.com, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, ndërsa dorëheqja e anëtarëve vendorë është bërë për arsye të tjera.

 

Japin dorëheqje 5 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

.