ORCA: 66% profesorë të Universitetit të Pejës pa asnjë punim shkencor

22 profesorë  në Universitetin e Pejës nuk kanë asnjë punim shkencor ndërsa 70 për qind e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik.

Këto dhe shumë të dhëna të tjera të detajuara i ka publikuar Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në tryezën në të cilën u publikua raporti “Integriteti Akademik dhe Publikimi Shkencor në Universitetin e Pejës”.

Sipas një njoftimi për media,  rezultatet u publikuan në prani të rektorit, prorektorëve, dekanëve, prodekanëve si dhe profesorëve të tjerë.

“Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan që të gjeturat nga hulumtimi janë shqetësuese dhe se mungesa e Integritetit Akademik parqet një problem serioz në të cilën duhet të intervenohet menjëherë. Gjatë diskutimit u evidentua gatishmëri nga i tërë stafi dhe menaxhmenti i universitetit për të rritur publikimin shkencor në revista kredibile dhe për t’iu shmangur publikimeve në revista të dyshimta. Për më tepër, përfaqësuesit e stafit akademik u zotuan se do t’i përditësojnë CV-të dhe do t’i heqin publikimet në revista të dyshimta”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, ORCA theksoi një dukuri pozitive për faktin se ndonëse profesorët e Universitetit të Pejës kanë publikuar shumë punime në revista të dyshimta (84 sosh), gjatë viteve 2018 dhe 2019 nuk është evidentuar asnjë punim në revista të dyshimta.

Nga 33 profesorë, 27 janë burra (82%) dhe 6 janë gra (18%). Vlen të theksohet se gratë e jetës akademike në Universitetin e Pejës shquhen për integritet më të lartë akademik sesa kolegët e tyre burra.

Raportin me të gjetura mund ta gjeni në këtë link.

KALLXO.com më 2019 kishte raportuar se Universiteti i Pejës, ishte bërë ‘çerdhe’ e PDK-së.

Hulumtimi i KALLXO.com vënë në pah se një pjesë e stafit akademik, të angazhuar dhe administrativ të Universitetit “Haxhi Zeka” ishin apo vazhdojnë të jenë pjesë e partisë së Kadri Veselit, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Universiteti i Pejës, ‘çerdhe’ e PDK-së

www.kallxo.com