Nxënësit e shkollës 'Gjon Serreçi' kalojnë të gjithë në një objekt

Nxënësit e shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj nga sot e tutje do të vazhdojnë mësimin në të njëjtin objekt dhe jo në hapësira të ndara si deri më tani.

Javën e kaluar prindërit vendosën që të ndërprisnin mësimin, për shkak se një pjesë e nxënësve mësonin në ish objektin e shkollës “Gjon Serreçi”, të ndarë nga pjesa tjetër e shkollës.

Por, nga sot është marr vendim që në ndërtesën e shkollës së mesme të mjekësisë “Elena Gjika” të kalojnë të gjithë fëmijët e shkollës “Gjon Serreçi”.

Vendim e Drejtorisë së Arsimit e kanë mirëpritur prindërit dhe udhëheqësit e shkollës “Gjon Serreçi”.

Albana Salihu nga Këshilli i Prindërve ka thënë se tani janë të kënaqur me vendim e DKA-së dhe se kjo ka qenë kërkesa e tyre.

“Nga sot fëmijët kanë kalu në objektin e shkollës “Elena Gjika”, sigurisht jemi të kënaqur dhe është realizuar kërkesa jonë”, ka thënë Salihu.

Kurse, Nazmi Heda, drejtor në këtë shkollë ka thënë se tani për të është më lehtë të menaxhohet kur nxënësit janë të vendosur në hapësira më të afërta.

“Tash jemi të gjithë në një objekt, i kam të gjithë në mbikëqyrje, jo si më herët në tre objekte të ndara, mbikëqyrja, disiplina është më mirë”, është shprehur Heda.

Ndërsa, në objektin e vjetër të kësaj shkollë janë dukë mbajtur mësim nxënësit e gjimnazit “Shaban Hashani” dhe “Elena Gjikës”.

Tani mësimi për nxënësit është duke u zhvilluar 35 minuta për orë mësimore.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ka bërë të ditur se nga shtatori i këtij viti të do të ofrohet zgjidhje edhe për nxënësit e dy shkollave të mesme.

“Nga shtatori i këtij viti po mendojmë të shkojmë në shkollë të re, tek objekti i ri i shkollës që është duke u ndërtu tek salla e sportit”, ka thënë Llabjani.

KALLXO.com ka raportuar për refuzimin e nxënësve për t’u kthyer në objektin e vjetër dhe për probleme të cilat i ka shkolla “Gjon Serreçi”.

Nxënësit refuzojnë të kthehen në objektin e vjetër të shkollës ‘Gjon Sereçi’