Një tetori “i vonuar”

Nën emocionet e vitit të parë të studimeve, në mot me shi, grumbuj studentësh prisnin që të vendoseshin në sallat e ligjëratave që të takonin profesorët dhe kolegët e tyre.

“Një tetori” që për studentët nënkupton fillimin e një viti të ri akademik, këtë herë është shtyrë më datën 15 tetor, për shkak të vonesës së funksionalizimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për shqyrtimin e vendimeve për programet akademike në shumë institucione të arsimit të lartë.

Studentet, Fotot: Getiana Ahmeti, KALLXO.com

Krahas vonesave dhe drojës për t’u përgatitur për provimin pranues Lea, tani studente në drejtimin Dizajn Inovacioni, në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasa Prishtina” shprehet e lumtur për drejtimin që ka zgjedhur.

“Jam e lumtur për shkak se tash jam duke studiu diçka që unë e du dhe jo diçka si në shkollë që na imponohet me e mësu, lëndët e njëjta i kemi mësu për 12 vite”, thotë ajo.

Një studente tjetër, Artenisa Tafilaj, e cila vjen nga Klina, është vendosur në një banesë në Fushë Kosovë që të jetë më afër Fakultetit Filozofik, ku ka vendosur të ndjek studimet Bachelor në Psikologji.

“Ditën e parë e kam nisë pakë vonesë, sepse e kam marr vonë autobusin dhe pati kolonë në rrugë. Në takimin e parë erdha me vonës. Profesorët u dukën të mirë, pata mundësi me i taku edhe kolegët dhe u njoftova me ta”, thotë Tafilaj.

Mësimi me prani fizike “më i përshtatshëm”

Këtë vit në nivelin Bachelor në 14 fakultet e UP-së janë pranuar 4,958 studentë të rinj, të cilët parashihet që ligjëratat t’i zhvillojnë me prani fizike në objektet e Universitetit.

Për Lean dhe Artenisën, fillimi i vitit akademik në klasa është më i vlefshëm se sa mësimi përmes platformave online të cilat i kanë përdorur nga marsi i vitit të kaluar.

Studentët në UP, Fotot: Getiana Ahmeti, KALLXO.com

“Qysh edhe tregun profesorët, kemi me pas më shumë punë praktike, kurse mësimi online duke u bazu edhe në shkollë të mesme, nuk është efektiv sa ai me prezencë fizike”, ka thënë Lea.

Kurse Artenisa, shprehet e gëzuar për faktin që sot ka shkuar në fakultet dhe ka pasur mundësi që nga afër të takojë të tjerët.

“Kam pritë që ligjëratat kanë me fillu online, pro tash që filluam fizikisht janë shumë e gëzuar”, është shprehur ajo.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, ka uruar studentët e rinj për fillimin e vitit të ri akademik.

“Përvojat që ju presin do t’ju zhvillojnë në aspektin personal dhe akademik, andaj unë ju inkurajoj që të nxirrni më të mirën nga to. Mësimdhënësit dhe stafi administrativ janë këtu që t’ju ndihmojnë në rrugëtimin tuaj”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që studentët të cilët do të studiojnë në Universitete Publike në Kosovë janë të liruar nga pagesa semestrale.

Konfirmohet heqja e tarifave për studentët e arsimit të lartë