Kopshti Botanik në Kampusin e UP-së. Foto: Eddie Rabeyrin/Prishtina Insight

Një oazë e lulëzuar: Kopshti Botanik mes mureve të vjetra të Universitetit të Prishtinës

Në thellësitë e kampusit të Universitetit të Prishtinës, mes një sfondi muresh të vjetra dhe hapësirash të fjetura, ka zënë rrënjë një transformim i jashtëzakonshëm. Edhe pak kohë duhen para se studentët të arrijnë të shohin frutat e para.

Në zemër të Universitetit të Prishtinës, i rrënjosur brenda mureve të shkatërruara të fakulteteve të tij, ka ndodhur një transformim i jashtëzakonshëm. Ajo që dikur ishte një hapësirë e papërdorur dhe e harruar, ka lulëzuar në një kopsht botanik të gjallë, plot jetë dhe premtime.

Duke e ditur mungesën e një laboratori botanik, Medina Orana, ligjëruese në RIT Kosovë dhe Tringë Sokoli, specialiste e politikave publike e cila është e angazhuar në një projekt të Bashkimit Evropian për asistencë teknike në Zyrën e Kryeministrit, morën iniciativën për të krijuar një serrë të vogël të komunitetit që do të përdoret si kopsht botanik, brenda oborrit të Fakultetit Filologjik dhe Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore.

Foto: Eddie Rabeyrin/ Prishtina Insight

Në këtë oazë të vogël tashmë janë mbjellur farat e para të bimëve aromatike dhe dekorative, të cilat do t’i shërbejnë qëllimeve shkencore.

Ky kopsht i vogël botanik do të përdoret nga studentë të biologjisë, ekologjisë, botanikës dhe fushave të ngjashme, profesorë dhe nxënës shkollash të cilët do të mbjellin, kultivojnë dhe rritin bimë të ndryshme dhe do t’i përdorin ato për studime dhe kërkime shkencore. Hapësira është gjithashtu e hapur për publikun.

Në një kohë kur bota po përballet me ndryshime të shpejta klimatike që po shkaktojnë zhdukjen e bimëve të rralla dhe endemike, përfitimet e kopshteve botanike luajnë një rol jetik në ruajtjen dhe kultivimin e tyre.

Më 11 maj, kopshti u përurua, i financuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe i administruar nga Alumni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, KUSA.

Ideja mori formë brenda kufijve të një oborri

Dy vajzat, Medina Orana dhe Tringa Sokoli të cilat janë anëtare të KUSA, secilin shtet që kanë vizituar nga dashuria për bimët kanë vizituar edhe kopshtet botanike të qyteteve në të cilat shumicën e rasteve kanë qenë nën kujdesin e universiteteve publike.

Medina Orana dhe Tringë Sokoli. Foto nga galeria e Universitetit të Prishtinës.

“Pra aspirata është që në të ardhmen të bëhet kopshti botanik, dhe kjo serrë mund të shërbejë si pikënisje ku mund të fillojnë të kultivohen bimët që pastaj mund të ekspozohen aty,” tha Orana në një intervistë për Prishtina Insight.

Sipas saj, përqendrimi në bimët vendase në serrë promovon ruajtjen e llojeve bimore lokale dhe kështu mund të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit të studentëve për rëndësinë e mbrojtjes së florës vendase dhe rolin që ka në ruajtjen e një ekosistemi të shëndetshëm.

“Serra dhe hapësira e rregulluar përreth mund të shërbejnë si qendër për angazhimin e komunitetit, ku publiku i gjerë mund të mësojë për bimët vendase, të marrë pjesë në seminare dhe të angazhohet në iniciativat qytetare që kanë të bëjnë me ekologjinë,” shtoi ajo.

Për pastrimin brenda dhe jashtë serrës do të ketë staf mirëmbajtjeje i cili ndodhet brenda pagesë për pastrimin, prerjen e barit, larjen, etj në baza ditore ose javore.

Ndërsa kujdesi për bimët kryhet nga laboranti i biologjisë i cili në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tij është përgjegjës për mirëmbajtjen e bimëve që përdoren për qëllime të punës praktike në fushën e Botanikës.

“Përvoja jonë ka qenë një rollercoaster i vërtetë. Kemi pas shumë momente kur kemi qenë gati të tërhiqemi, mirëpo çka na ka shty përpara ka qenë arritja e qëllimit të projektit. Secilën herë që ballahafoheshim me një sfidë të re, çka na ndihmonte me vazhdu me tutje ishte vizualizimi i ditës kur lansohet serra dhe fillon të shfryteëohet nga studentët si dhe komuniteti më gjerë,” tha Orana.

Foto: KUSA

Ndryshimi i menaxhmentit në UP ka sjellë një periudhë pasiviteti, duke shkaktuar vonesa, sipas Oranës. Gjithashtu, lindën mosmarrëveshje për shfrytëzimin optimal të kopshtit të brendshëm, i cili funksiononte si hapësirë magazinimi dhe buxheti i kufizuar e përkeqësoi më tej situatën. Ishte ndihma e kolegëve të tjerë të KUSA në baza pro bono që përfundimisht e solli projektin në realizim.

Rëndësia e madhe e Kopshtit Botanik për studentët

Foto nga galeria e Universitetit të Prishtinës.

Studentët e biologjisë në Universitetin e Prishtinës aktualisht i kanë mësimet në një bodrum me lagështi të lartë dhe pak dritë, gjë që nuk i ka lejuar të rritin bimë të ndryshme. Krijimi i një kopshti botanik do t’u sigurojë atyre një mjedis praktik mësimi dhe do t’i afrojë më shumë me bimët.

Krenare Ibrahimi, studente e vitit të tretë e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës thotë bimët që do t’i mbjellin në këtë kopsht janë ato të familjes Rosacea për shkak se janë mësuar më shumë në prezencën e tyre dhe janë më të lehta për tu kujdesur.

Ibrahimi tha për Prishtina Insight që një kopsht botanik studentët e kanë pasur më se të nevojshëm për shkak se bimët atëherë kanë pasur mundësi t’i vëzhgojnë në terren, por tashmë kanë qasje më të shpeshta dhe gjithsesi më të volitshme.

Sipas saj, tashmë fillimisht kanë mundësi t’i vëzhgojnë nga afër disa nga proceset që ndodhin në bimë, pastaj edhe të masin disa nga parametrat realë si dhe të nevojshëm për to.

“Kemi edhe mundësinë e mbjelljes/rritjes së tyre duke diskutuar kështu lagështinë, temperaturën, pH-në e nevojshme, e shumë e shumë faktorë tjerë,” shtoi ajo.

Asistent- profesori për Ekologjinë e Bimëve, Ekologjinë e Aplikuar, Ekofiziologjinë Bimore dhe Botanikë Farmaceutike në Fakultetin e Biologjisë, Bledar Pulaj tha për Prishtina Insight që ndonëse tashmë ekziston një Kopsht Botanik, me interes kombëtar dhe ndërkombëtar do të ishte zgjerimi i hapësirës dhe shtimi i llojeve të tjera të cilët përfaqësojnë vegjetacione karakteristike të vendeve të ndryshme të botës.

Për të treguar për rëndësinë e kopshteve botanike, Pulaj i cili bashkëpunoi me dy ideatoret thotë që një aspekt i rëndësishëm është që në këtë kopsht studentët mund të ndërlidhin pjesën teorike me atë praktike, në ngrisin njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushën e studimit të bimëve, ruajtjes së biodiversitetit, konservimit të mjedisit.

Përveç këtyre, Pulaj shton që një rëndësi të veçantë do të ketë për kërkimin shekncor ku studentët dhe shkencëtarët mund të studiojnë lloje të ndryshme të bimëve, morfologjinë e tyre, sistemet e tyre të rrënjëve, zhvillimin e bimëve, si dhe ndikimin e faktorëve mjedisor në rritjen e tyre.

Këto hulumtime ndihmojnë në kuptimin dhe përdorimin më të mirë të resurseve bimore.

“Kopshti botanik siguron një mundësi të shkëlqyeshme për të edukuar dhe informuar publikun rreth botanikës dhe rëndësisë së bimëve në ekosistemet tona,” shtoi ai duke theksuar edhe rëndësinë e kultivimin e të bimëve për qëllime më të avancuara dhë aplikative.

Ndërsa, sipas tij, shfaqja e koleksioneve të ndryshme të bimëve dhe organizimi i ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera edukative ndihmojnë në sensibilizimin e publikut dhe në promovimin e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

Rëndësia e kopshteve botanike për kërkime dhe konservim

Kopshti Botanik në Kampusin e UP-së. Foto: Eddie Rabeyrin/Prishtina Insight

Kosova është i vetmi vend në rajon pa kopsht botanik. Këto kopshte kanë një rëndësi të veçantë pasi ato luajnë një rol të madh në kërkimin, dokumentimin dhe ruajtjen e koleksioneve të bimëve të gjalla.

Behxhet Mustafa, profesor i Biologjisë dhe Ekologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe autor i librave shkollorë të Biologjisë është i lumtur që sa do pak dy vajza të reja kanë arritur ta përmbushin dëshirën e tij për themelimin e një kopshti botanik.

Që 40 vite përvojë punë, ka kërkuar që Kosova t’i themelojë kopshtet botanike dhe zoologjike.

“Në librat shkollorë të biologjisë, psh në atë të klasës së tetë, kam vendosur fotografi të Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, fotografi të cilat i kam realizuar origjinale të Kopshtit Botanik në Shkup të Maqedonisë së Veriut në mungesë të kopshteve tona,” tha ai në një intervistë për Prishtina Insight.

Deri tani kanë mbjellur disa bimë aromatike e dekorative në pjesën e kopshtit, por në serrë mbetet që studentët në të ardhmen të dalin në terren të mbledhin bimë ta kompletojnë kopshtin.

“Më të vërtetë është bërë diçka shumë e mirë me një shumë simbolike. Është bërë një punë e mrekullueshme. Jemi shumë të lumtur që u bë diçka për studentët dhe është zbukuruar vendi,” shprehet i lumtur ai.

Sipas tij, ky kopsht i vogël i duhet shumë studentëve të cilët mund ta shfrytëzojnë që të bëjnë eksperimente si parametra fiziologjik, transpirimi, densiteti i rrezatimit, dritës, temperaturës, lagështisë e së ajrit mundemi me i mbajt në këtë kopsht bashkë me studentë.

“Çfarë është më më rëndësi është që mundemi ta mbjellim ndonjë bimë me veti karakteristike edhe të ruhet aty dhe studentët të bëjnë ndonjë hulumtim,” tha Mustafa.

“Në këtë oborr serra nuk mundet të dëmtohet edhe është e ruajtur edhe një farë oaze e mirë se bien dielli shumë mirë që është e mjaftueshme dhe ka shumë dritë,” shtoi biologu.

Mustafa që nga viti 2000, ka shkruar mbi 50 artikuj të ndryshëm për nevojën për këto kopshte.

“Vonë boll, por po shpresoj që do të bëhet Kopshti Kombëtar. Nëse fillon sivjet për 3-4 vjet bëhet se nuk është punë e lehtë. Mjafton të filloj ndërtimi dhe merret të seriozisht,” përfundoi Mustafa.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.