Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Një muaj pas fillimit të mësimit, shkollat e Prishtinës ende me mungesë të librave

Edhe pse viti i ri shkollor 2019/20 ka filluar katër javë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ende nuk ua ka siguruar të gjithë librat disa shkollave në kryeqytet.

Tekstet për shkollat fillore ende vazhdojnë të shpërndahen në këto institucione arsimore, proces ky që kishte filluar nga 2 shtatori deri më sot.

KALLXO.com ka vizituar disa nga shkollat fillore në Prishtinë dhe ka biseduar me prindër, mësimdhënës si dhe me drejtorë të shkollave.

Ata kanë treguar se janë duke i kombinuar librat e vjetra me plan programet e reja, të cilat sipas tyre në të shumtën e rasteve nuk përputhen me njëra-tjetrën.

Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, Osman Vitija, tha për KALLXO.com se ende ka mungesë të teksteve bazë te shumica e lëndëve.

“Kemi mungesë të librave siç janë: Gjuha Shqipe klasa e gjashtë, libri bazë dhe fletore pune si dhe Gjuha Angleze klasa e gjashtë po ashtu. E di që ka edhe mungesa të librave të tjera por nuk jam kompetent për ato lëmi”, tha ai.

Vitija u bëri thirrje shtëpive botuese që t’i furnizojnë libraritë me këto tekste që të furnizohen nxënësit me to nëse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e bën këtë gjë.

“Realizimi i mësimit është duke u bërë me tekste të vjetra shkollore dhe me shënime nga ana e jonë”, shtoi ai.

Edhe shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë po ballafaqohet me të njëjtin problem.

Një prind, i cili ka dashur të mbetet anonim, tha për KALLXO.com se djali i tij, i cili ndjek mësimet në këtë shkollë në klasën e gjashtë, ka mungesë të librave të Gjuhës Shqipe, Gjuhës Angleze, Gjeografisë dhe Historisë.

Këtë gjë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i kësaj shkolle, Shefki Rusinovci, i cili tha se e kanë bërë kërkesën në MAShT për furnizimin e mëtejmë me libra.

“Informacionet që m’i kanë mbledhur të gjithë mësimdhënësit prej klasës së parë deri në të pestën dhe gjashtë deri në nëntë, javën e parë kur janë shpërndarë tekstet shkollore i kam dërguar kërkesat dhe pastaj të enjten e kaluar kanë ardhur tekstet shtesë për klasën e parë, të tjerat nuk kanë ardhur ende dhe DKA-ja e ka proceduar kërkesën në Ministri të Arsimit”, thotë Rusinovci për KALLXO.com.

Për kërkesë të ngjashme drejtuar Ministrisë së Arsimit tregon edhe Rukie Vllasa Basha, psikologe e shkollës fillore ‘’Faik Konica”.

‘’Nëse ne kemi kërkuar 180 tekste ka raste kur kemi pranuar 150 dhe kemi mbetur pa libra, tani po e presim përgjigjen nga Ministria”, ka thënë ajo.

KALLXO.com i dërguar pyetje drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala dhe është duke pritur përgjigje.

Po ashtu, KALLXO.com ka kontaktuar edhe MAShT-in.

“MAShT me kohë ka formuar komisionin për koordinim me DKA – Komunat. I ka pranuar numrin e nxënësve nga parafillorët e deri te klasa VI dhe në bazë të shënimeve që i kanë dërguar komunat janë shpërndarë të gjitha tekstet për nxënës.  Ministria deri më tani nuk ka asnjë kërkesë apo informacion nga DKA për mungesë të teksteve. Po ashtu, MAShT  i ka informuar DKA-të që asnjë nxënës mos të mbetet pa tekste shkollore”, ka thënë Alush Istogu, drejtor i Departamentit për Arsim Parauniversitar.

Para dy javësh KALLXO.com kishte raportuar se shumica e shkollave të Kosovës kanë mungesë të librave shkollore, të cilat janë përpiluar të reja këtë vit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Tekstet e reja shkollore janë përpiluar këtë vit dhe nga ky vit fëmijët do të mësojnë me to.

Në qershor ishte publikuar lista përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët kanë përgatitur tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11. Sipas kësaj liste librat e nxënësve janë përgatitur nga shtëpitë botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Në lidhje me këto tekste, nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh) kishin dhënë dorëheqje disa anëtarë, pasi, sipas tyre, ka pasur shkelje në procesin e teksteve të reja shkollore.

Ndërsa instituti EdGuard kishte thënë se në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

Për këtë çështje kishte raportuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Komisionin për Arsim.

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

KALLXO.com kishte raportuar se në tekstin e ri të klasës së gjashtë të Gjuhës Shqipe, përrallës së “Kësulëkuqes” i është ngatërruar personazhi kryesor i tregimit.

‘Kësulëkuqja’ bëhet ‘Borëbardha’ në tekstin e ri të Gjuhës Shqipe

.