Nesër mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore

 

Afati i dytë i provimit të Maturës Shtetërore për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë do të mbahet nesër (e shtunë), 28 gusht 2021.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 6700 maturantë në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues.

MASHT njofton ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë” thuhet në njoftim.

Përmes këtij njoftimi MAShTI kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në Provimin e Maturës që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë.

“Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës. Bazuar në këtë Ligj dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi”, thuhet në njoftimin e MAShTI.

Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 8 shtator.

Në Kosovë më 26 qershor është mbajtur afati i parë i provimit të maturës të cilit i janë nënshtruar mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta.

Nga 23 mijë nxënësve që i janë nënshtruar këtij provimi, 68% e kanë kaluar.