Nën masa të rrepta sigurie përpilohet testi pranues i Fakultetit të Mjekësisë - VIDEO

Është ditë e diel, por ndryshe nga fundjavat e tjera Fakulteti i Mjekësisë është mbushur me njerëz. Stafin e këtij fakulteti i bashkoi një kauzë.

Ajo është përgatitja e provimit pranues për 1721 kandidatë që synojnë të studiojnë në këtë fakultet.

Në momentin që ora shënon 18:00, dyert e objektit të ri të fakultetit mbyllen dhe i gjithë stafi duhet të dorëzojnë telefonat, përfshirë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës deri ditën e nesërme në ora 09:00 të mëngjesit.

Pa mbaruar i gjithë procesi asnjë person nuk lejohet të dalë nga objekti ndërsa dekanati kishte vendosur edhe zhurmues në objekt.

Për 16 orë KALLXO.com ka qëndruar dhe ka qenë pjesë e këtij organizimi, ku ka parë nga afër të gjithë procesin.

Nën udhëheqjen e Dekanes, Suzana Manxhuka-Kërliu, fakulteti organizoi karantinën për të ‘shuar’ thashethemet për ndikime të jashtme në provimin pranuar.

“Sot jemi mbledhur për të përgatitur pyetjet rreth provimit pranues dhe kjo është një traditë që nga paslufta ka 20 vite që organizohet në këtë formë. Një ditë para se të fillojë provimit pranues përgatiten pyetjet dhe këtu kemi komisionin profesional, profesor të Biologjisë dhe Kimisë të UP-së të cilët aty për aty, sonte i përgatisin pyetjet”, thotë ajo për KALLXO.com.

 

Ajo shton se kjo po bëhet në mënyrë që studentët më meritorë të jenë pjesë e drejtimeve të Fakultetit të Mjekësisë.

Viteve të fundit unë mund të them që katër vite më herët, ky proces ka qenë shumë korrekt dhe viteve më herët ka pasur shumë parregullsi të cilat kanë bërë që të ulet kredibiliteti I Fakultetit të Mjekësisë, dhe ne jemi munduar që kjo është hera e pestë që të ngrisim cilësinë dhe korrektësinë e mbajtjes së provimit pranues në mënyrë që vetëm studentët më meritorë të pranohen”, thotë dekanja.

Me hyrjen në objekt, hapi i parë është nënshkrimi i letrës së konfidencialitetit, ku palët zotohen për mos zbulim të informatave.

Tani radha është që grupet punuese për lëndët Biologji dhe Kimi të fillojnë me përpilimin e pyetjeve të këtij testi.

Atyre do të ju duhet të përgatisin nga 110 pyetje, e që më pas Komisioni i Provimit të Maturës të zgjedhë për secilën lëndë nga 25 pyetje për dy lloje të testit: A dhe B.

“802 kandidatë janë në Mjekësisë të Përgjithshme, 312 kandidatë në Stomatologji, 277 në infermieri ndërsa farmaci dhe fizioterapi ka 177 dhe 159 kandidatë. Pas përmbylljes së dokumentacionit, ne kemi filluar me përgatitjen e testit që kanë filluar në aspektin e programit dhe që kanë kulmuar sot dhe janë thirrë këto komisioni profesionale të Kimisë dhe Biologjisë ku janë 3 profesorë të lëmive përkatëse”, thotë ai.

“Në fund pasi të mbahet testi pranues flet përgjigjet, kandidatët me laps të thjeshtë të hijezojnë, të mbushin katrorin përkatës dhe mbi pjesën ku janë përgjigjet vendoset një folie mbrojtëse në mënyrë që të mos ndikojë ose të inteferojë askush pasi kandidati ka bërë punën e tij. Ndahet pjesa e sipërme dhe kandidati e merr me veti”, thotë Bahtiri.

Gjatë kohës sa komisioni përgatiste pyetjet, u përgatiten aspektet e tjera logjistike, duke përfshirë verifikimin e listës së kandidatëve dhe futjen në zarfe.

Për të parë nga afër punën, në vizitë erdhi edhe rektori i ri, Naser Sahiti. Ai përgëzoi Fakultetin për këtë organizim ku u prit edhe me kafe e ëmbëlsirë.

Sahiti tha për KALLXO.com se arsyeja e vizitës në fakultet është që ta shpreh përkushtimin e tij ndaj këtij procesi.

“Është që të inkurajojë të vazhdojnë këtë traditë dhe gjithçka që të shkojë në rregull dhe në këtë mënyrë të rrisin edhe imazhin e Fakultetit të Mjekësisë por edhe të universitetit se kur është në pyetje regjistrimi i studentëve, nëkëtë fakultet mund të bëhet vetëm në rezultate të studentëve dhe në asnjë formë tjetër”, tha Sahiti.

Pas mbi 6 orë punë, komisionet punuese dorëzuan pyetjet e përgatitura dhe Komisioni i Provimit Pranues filloi më shqyrtimin e tyre.

E rreth orës 6:00 të mëngjesit filloi printimi i testit që ishte edhe duke u monitoruar nga pjesëtarë të shoqërisë civile.

Pasi ky proces përfundoi, filloi shpërndarja e testeve në sallat e Fakultetit Teknik e ish-dekanatit, në masa të rrepta të sigurisë me përcjellje të Policisë së Kosovës.

Krejt në fund mbetet edhe shpërndarja e detyrave për profesorët vëzhgues të testimit dhe dorëzimi i telefonave tek pjesëmarrësit.

Dita e hënë nis dhe në orën 9 aplikantët ‘vërsulen’ drejt testimit. Kandidatët mes emocioneve për testimin mundohen të respektojnë edhe masat mbrojtëse për COVID-19

“Po jemi përgatit për test dhe kemi emocioni po pres ta kalojë provimin”, thotë Ardit Shala.

Përgjigje të njëjtë pati edhe kandidati tjetër, Altin Emini që dëshiron të studiojë Infermierinë.

 “Po kemi pak emocioni edhe jemi përgatit mendoj se do ta kaloj këtë test”, thotë ai.

Të hënën në mbrëmje, testet pranuese janë lexuar testet më lexues optik ndërsa sot në ora 07:00 ato janë rishikuar nga asistentët e angazhuar nga Fakulteti i Mjekësisë.

Rezultatet për këtë test pritet të publikohen brenda 2 ditëve.