Ilustrimi: Trembelat

Në thellësi, çfarë thonë rezultatet e testit PISA për Kosovën

Megjithë pritjet e premtimet e mëdha, Kosova apo sistemi i saj arsimor nuk e kanë kaluar shumë mirë testin ndërkombëtar “PISA”. Rezultatet e këtij testi kanë shfaqur të dhëna shqetësuese mbi njohuritë e mbi 5 mijë nxënësve 15 vjeçar të testuar si mostër në vitin 2018.

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit fillestar.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë.

KALLXO.com ka siguruar raportin e rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në  6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.

Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare)

KALLXO.com do të ju mbaj të informuar për detaje të tjera të këtyre rezultateve ndërsa sot pritet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë edhe zyrtarisht të bëjë publikimin e këtyre rezultateve

Kosova keqësohet në shkencë

15 vjeçarët kosovarë kanë performuar më keq në shkencë se sa kishin performuar në vitin 2015.

Edhe pas 3 vitesh Kosova nuk shënoi ndonjë rritje, madje pati edhe ngecje në shkencë në krahasim me herën e parë.

Nxënësit e Kosovës në vitin 2015 në shkencë kishin mesataren 378, kurse këtë vit ka shënuar rënie në 365, kështu duke shënuar ulje në 13 pikë të nivelit të mesatares.

Në raportin e PISA-së të siguruar nga KALLXO.com po ashtu thuhet se në shkencë përqindja e studentëve që janë nën nivelin 2 u rrit për 9 përqind.

Kosova merr ca pikë më shumë në lexim e matematikë

Megjithëse 15 vjeçarët kosovarë kanë performuar më keq në shkencë se sa kishin performuar në vitin 2015, këtë vit në testin PISA 2018 është shënuar një rritje e lehtë e pikëve në lexim dhe matematikë.

Në raportin e PISA 2018 të siguruar nga KALLXO.com bëhet e ditur se nxënësit e Kosovës këtë vit në lexim kanë marrë 353 pikë dhe në matematikë 366.

Në testin e kaluar të PISA-s në vitin 2015 Kosova kishte marrë 347 pikë në lexim ndërsa në matematikë 362 pikë.

Kështu në krahasim me testin PISA 2015, këtë vit Kosova ka shënuar rritje në lexim për 6 pikë dhe në matematikë për 4 pikë më shumë.

Por pavarësisht kësaj rritje nuk është arritur mesatarja e OECD që në lexim është 487 dhe në matematikë 489.

Kosova pothuajse pa  nxënës mbi mesatare

Sipas të dhënave të raportit të rezultateve të testit PISA  66 për qind e nxënëve të testuar ishin nën mesatare apo në nivelin 1-2. 

Ndërsa vetëm 0.1 për qind e nxënësve kalojnë nivelin mesatar dhe rangohen në nivelin 5-6.

Në një pjesë të këtij raporti specifikohet se “në Kosovë, Marok dhe Filipine, edhe studentët që kishin arritur rezultate më të larta nuk kishin arritur mesataren e OECD-së”.

Si performoi Kosova në krahasim me fqinjët?

Përveç rezultatit të ulët në përgjithësi, Kosova ka shënuar ulët edhe në krahasim me vendet me të cilat rrethohet.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Rezultatet e Kosovës në tri fushat e lartcekura janë nën mesataren e përgjithshme.

Në anën tjetër, vendet fqinje kanë performuar më mirë, të prirura nga Serbia, pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe në fund para Kosovës është edhe Maqedonia Veriore.

Më saktësisht pikët e Kosovës në lexim janë 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Në anën tjetër, Serbia pati rezultat në lexim 439, në matematikë 448 dhe në shkencë 440.

Mali i Zi ishte afër Serbisë me rezultat 421 në lexim, në matematikë 430 dhe në shkencë 415.

Shqipëria këtë vit shënoi 405 pikë në lexim, 437 në matematikë dhe 417 në shkencë.

Ndërsa, Maqedonia Veriore në lexim shënoi 393 pikë, në matematikë 394 dhe në shkencë 413.

Historiku i PISA-s në Kosovë

Testi PISA 2018 në Kosovë u mbajt ga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA dhe ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Vitin e kaluar, gjithashtu, nxënësit kosovarë iu nënshtruan testit në kompjuter.

Në testin PISA 2015,  Kosova ishte renditur në vendet me rezultatin më të dobët në testin ku morën pjesë 72 shtete.

Rezultatet e prezantuara më 6 dhjetor 2016 e renditën Kosovën në fund të listës bashkë me Perunë, Libanin, Tunizinë, Maqedoninë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Testi kishte gjetur se në fushën e leximit 77 për qind të nxënësve nuk e kanë arritur nivelin 2, në fushën e matematikës 78 dhe në fushën e shkencave 68 për qind.

Dy Ministrat e Arsimit që u kishte rënë të organzonin testet PISA në Kosovë, kishin shprehur optimizëm për rezultatet e sivjetshme

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!