Në prill-maj pritet të ndahet pjesa e dytë e bursave në Obiliq

Komuna e Obiliqit më 18 dhjetor të vitit të kaluar, kishte ekzekutuar pjesën e parë të pagesave për bursat komunale të të gjitha kategorive që jep kjo komunë.

Studentë nga Obiliqi, janë shprehur të shqetësuar me mosndarjen e plotë të bursave.

Një student i ka thënë KALLXO.com se në dhjetor në xhirollogaritë e tij është transferuar vetëm një pjesë e vogël e të hollave duke shtuar se ndjehet i shqetësuar për këtë.

“Në Obiliq ende nuk është shuma më e madhe e bursës. Kemi dyshime për këtë”, ka thënë një student për KALLXO.com, duke mos preferuar të identifikohet për opinionin publik.

Një gjë të tillë e ka mohuar komuna e Obiliqit.

Në një përgjigje për KALLXO.com drejtori i Arsimit, Rexhep Zeka ka thënë se në dhjetor ata kanë bërë ndarjen e pjesës së parë të bursave ndërsa pjesa tjetër do të ndahet në muajin prill ose maj.

“Drejtoria e Arsimit ka planifikuar që për të gjitha kategoritë përfituese mjetet të paguhen në dy pjesë, e para në dhjetor dhe e dyta në prill-maj 2021. Pjesa e parë për të gjitha kategoritë është 114 mijë e 765 euro”, tha ai.

Zeka ka shtuar se shuma e ndarë për bursa nuk është shpenzuar në projekte të tjera.

Komuna e Obiliqit ndanë mbi 200 mijë euro bursa për studentë të tre niveleve të studimeve, nxënësve të shkollave të mesme si për kompenzimet e udhëtimeve të nxënësve.

Bursa variojnë nga 180 deri në 2 mijë e 500 euro.