Foto: Atdhe Mulla

Në Gjakovë të premten paralajmërohet protestë kundër grevës në arsim

Në Gjakovë është paralajmëruar protestë e cila pritet të mbahet të premten, për të kundërshtuar grevën dhe për të rikthyer mësimin në shkolla.

Protestën po e organizojnë prindërit dhe organizatat e shoqërisë civile.

Rreth orës 12:00 në sheshin “Nënë Tereza” dhe para gjimnazit “Hajdar Dushi” është paraparë të tubohen protestuesit dhe të fillojë marshi.

Po ashtu edhe në Pejë me 19 shtator gjatë ditës së hënë prindërit kanë protestuar për kthimin e nxënësve në shkolla.

Motoja e marshit ka qenë: Qeveri, SBASHK duam zgjidhje, duam rikthimin në bankat shkollore për fëmijët tanë”.

Këshilli i Prindërve në Pejë këtë protestë e kishte organizuar me pëlqimin e Komunës së Pejës.

Ndërkohë Rrahman Jasharaj kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBASHK) në një intervistë për KALLXO.com ka thënë që nuk dihet koeficienti i pagave që pritet të miratohet nga ligji, sipas tij deri në miratimin e ligjit për paga punëtorët duhet të presin edhe 15 muaj të tjerë dhe nuk mund ta dinë se cila është vlera e koeficientit të tyre.

“Nuk kemi lypë, 300-400, por 100 euro, që të përballemi me çmimet”- është shprehur Jasharaj.

Ai potencon që qeveria sa kishte qenë në opozitë e kishte përkrahur grevën.

“Me të gjitha qeveritë u përplasëm, por po harron diçka Vetëvendosja në të kaluarën ne kemi ruajt nga mediat deklaratat e tyre që kanë qenë se greva është e arsyeshme dhe mësuesit nuk kanë faj njëra prej tyre zonja Nagavci dhe kryeministri. Çka u bë e njëjta sindikatë i njëjti Rrahman tash na doli tjetër, edhe kjo grevë është për shkaqe të njëjta”- ka theksuar ai.

Jasharaj po ashtu shpjegoi përmendjen e fjalës “vëlla” të cilën thotë qe e ka përdorur në kuptim përafrimi pas gjithë atyre përplasjeve që kanë pasur me qeverinë sipas tij kjo fjalë është keqpërdorur nga Kryeministri Kurti për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga çështja kryesore.

“Menjëherë në konferencën për media zotëri Kurti vazhdoi me avazin e vjetër të barrigadimit, dhe vazhdoi të nxjerrë nga konteksti fjalinë time “vëlla” që po shoh edhe në qytet ka nis të bëhet një lloj humori”- tregoi Jasharaj.

Kujtojmë që greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga 25 gushti dhe po vazhdon ende.