Posterët informues të vendosur në të gjitha Universitetet publike të Kosovës

Ndryshimet pozitive dhe mangësitë e universiteteve në menaxhimin e COVID-19

Gjatë monitorimit të 36 fakulteteve të 7 universiteteve publike në Kosovë është vërejtur mungesa e shenjëzimit për mbajtjen e distancës së studentëve  nëpër sallat e mësimit.

E përbashkëta e fakulteteve të monitoruara gjatë muajit mars është se të gjitha kanë pasur të vendosur posterë informues për COVID-19 dhe dezinfektues për stafin e studentët.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, më 11 shkurt ishte vendosur që institucionet e arsimit të lartë të mbajnë provimet, punën praktike dhe laboratorike sipas “Manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19”.

Para se të fillonin ligjëratat, universitetet publike kanë krijuar shtabet emergjente dhe manualet për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Që nga muaji nëntor 2020, KALLXO.com bën monitorimin e fakulteteve të 7 universiteteve publike në të gjithë Kosovën për të parë se sa po respektohen masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ngecja e universiteteve në shenjëzimin e distancës në salla

Në disa nga fakultete e monitoruara për menaxhimin e pandemisë COVID-19 është vendosur shenjëzimi se sa persona lejohen brenda sallave të caktuara.

Në Fakultetin e Mjekësisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë, Edukimit Fizik dhe Sportiv, Arteve, Edukimit  dhe Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës ka munguar shënjëzimi i distancës së uljes së studentëve në salla.

Në përjashtim të Fakultetit të Menaxhimit në Turizëm, Hotelieri dhe Mjedis dhe Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, në të cilat objekte është shenjëzuar mbajtja e distancës nëpër klasë.

Edhe në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti’’, Universitetin e Shkencave të Aplikura në Ferizaj, Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ka munguar shenjëzimi i distancës sëuljes në karrige.

Distanca mes ulëseve në salla të Universiteteve publike të Kosovës

Universitetet e pajisura me dizinfektues

Muaj më parë kur KALLXO.com kishte filluar monitorimin nëpër universitetet publike, disa fakultete kanë pasur mungesë të dezinfektuesve.

Në muajin mars në të cilin janë monitoruar 36 fakultete, në asnjërin prej tyre nuk është hasur mungesa e dezinfektuesve.

Në përjashtim të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterianrisë në Universitetin e Prishtinës, në rastin e të cilit monitoruesja ka hasur një shishe të zbrazët, por nën prezencën e KALLXO.com është bërë mbushja e asaj shishe me material dezinfektues.

KALLXO.com ka njoftuar dekanin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Bedri Dragusha dhe e ka pyetur në lidhje me mungesën e dezinfektuesit, i cili përdoret nga stafi dhe studentët.

“Nuk është vërejtur, çdo ditë në mëngjes bëhet mbushja me material dezinfektues dhe për shkak se nga dita në ditë numri i studentëve është i ndryshëm, mund të jetë harxhuar”, ka thënë Dragusha.

Vendosja e dezinfektuesve në të gjitha Universitetet publike të Kosovës

Prania e posterëve informues për COVID-19 në të gjitha universitetet

Gjatë monitorimit të universiteteve nga KALLXO.com që nga nëntori i vitit 2020, në disa fakultete është vërejtur mungesa e posterëve informues për COVID-19.

Në muajin mars në të gjitha fakultetet e monitoruara kanë qenë të vendosur posterët me udhëzime për mbajtjen e higjienës gjatë pandemisë.

Posterët informues të vendosur në të gjitha Universitetet publike të Kosovës

Katër universitete publike (Universiteti i Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës dhe Ferizajt) kanë shpenzuar më pak se 5 mijë euro për blerjen e materialeve mbrojtëse kundër COVID-19.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga muaji shtator ka shpenzuar 58 mijë euro për furnizim me materiale mbrojtëse kundër COVID-19.

Pajisja me mjete mbrojtëse ishte bërë përmes tenderit “Furnizim me masa mbrojtëse anti-covid, për të gjitha njësitë akademike të UP-së”, të cilin Universiteti i Prishtinës e kishte zhvilluar me procedurë të përshpejtuar për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë.

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka shpenzuar afërsisht 6 mijë euro për blerjen e materialeve mbrojtëse ndaj COVID-19, ndërsa Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shpenzuar vetëm 1 mijë euro për furnizim me pajisje për parandalimin dhe mbrojtjen nga COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë 83 mijë e 717 persona të infektuar nga COVID-19, 69 mijë e 123 janë shëruar, ndërsa 1786 persona kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.