Ndalesat e rektorit dhe dekanëve me vendimin e ri të Këshillit Drejtues të UP-së

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, ka ndaluar punët sekondare edhe për menaxhmentin e UP-së, përveç personelit akademik.

Këtu duke përfshirë rektorin, prorektorët, dekanët, prodekanët dhe koordinatorët e zyreve brenda UP-së.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, rektori, prorektorët, dekanët, prodekanët dhe koordinatorët e zyreve në parim nuk mund të kenë angazhim tjetër shtesë jashtë UP-së për mësimdhënie me kontratë sekondare të punës në Universitetet tjera brenda apo jashtë vendit, brenda orarit ditor të punës, për shkak të përgjegjësive menaxheriale që kanë.

Po ashtu sipas vendimit të KD-së së UP-së, ata kanë të drejtë që të kërkojnë leje dhe të angazhohen në mësimdhënie jashtë UP-së jashtë orarit ditor të punës.

“Për prodekanët dhe shefat e qendrave dhe koordinatorët e zyreve, kërkesa miratohet ose jo nga dekani i njësisë akademike. Kurse, për prorektorin dhe dekanin e njësisë akademike kërkesa miratohet ose jo nga Rektori, ndërsa në rastin e angazhimit të Rektroit, kërkesa miratohet ose jo nga Këshilli Drejtues i Universitetit dhe për këtë njoftohet edhe Senati”, thuhet më tej.

Tutje vendimi thekson së në çdo rast, kërkesat e parashtruara nga rektori, prorektorët, dekanët, prodekanët dhe shefat e qendrave dhe koordinatorët, duhet t’i përmbahen dispozitave të këtij vendimi si dhe puna sekondare nuk mund të realizohet brenda orarit ditor të punës.

KALLXO.com dje ka raportuar se personeli akademik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, tani e tutje nuk do të ketë të drejtë të krijojë marrëdhënie tjetër të rregullt të punës, përveç UP-së.

Ata nuk do të kenë të drejtë të krijojnë marrëdhënie të rregullt të punës qoftë në ndonjë institucion tjetër publik apo privat, vendor apo ndërkombëtar, brenda apo jashtë vendit.

Kështu është vendosur në bazë të një vendimi të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për përcaktimin e ngarkesës në punë dhe angazhimet e profesorëve të UP-së.

Vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së për këtë çështje është marrë më 18 shkurt të këtij viti.

Këshilli drejtues është organi kryesor qeverisës i universitetit.

Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli drejtues, kolektivisht, i raporton ministrisë dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë universitetit.

Këshilli drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa senati zgjedh pesë anëtarë të këshillit drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i universitetit.

Profesorëve të UP-së u ndalohet të krijojnë marrëdhënie të rregullt të punës në institucione tjera

.