Arbërie Nagavci, foto: Ministria e Arsimit/Facebook
Nagavci takon drejtorët e shkollave profesionale, i njofton për mësimin dual që pritet të nis nga 1 shtatori
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Departamenti i arsimit dhe aftësimit profesional në MAShTI me drejtorët e shkollave profesionale.
Në këtë takim në të cilin u diskutua kryesisht për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, ministrja Nagavci tha se arsimi profesional është një nga prioritetet e Qeverisë.
Përmes një komunikate të ministrisë bëhet e ditur se Nagavci i informoi drejtorët për impelementimin e mësimit dual që do të nis nga 1 shtatori në 4 profile, kuzhinier, asistent i restorantit, floktar dhe murator.
Po ashtu, ministrja theksoi se është e vetëdijshme për sfidat me të cilat po ballafaqohen shkollat profesionale si dhe numrin jo të madh të nxënësve të interesuar për të ndjekur këto shkolla.
Sipas ministres së arsimit Arbërie Nagavci, ofrimi i një modeli të ri të mësimit do të jetë përparësi për shkollat dhe pret që do të shtojë interesimin e nxënësve për t’u regjistruar në këto drejtime.
Tutje, ministrja Nagavci i njoftoi drejtorët se është duke u rishikuar formula financiare e cila rregullon çështjen e shkollave profesionale.
Po ashtu theksoi se e kupton që çështja e normave është brengë e mësimdhënësve andaj tha se do të sigurohen që mësimdhënësit të cilët janë në proces të mos i humbin vendet e punës.
Ministrja bashkë me drejtorët e shkollave profesionale u dakorduan që të mbajnë takime të rregullta me qëllim të përmirësimit të gjendjes në shkollat profesionale.
Mësimi dual në arsimin profesional është përmendur që nga fillimi i qeverisë Kurti 2.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në takimin e lansimit të projektit “Fondi i Sfidave për Kosovën (KCF) në vitin 2021 e bëri të qartë se për “Qeverinë Kurti 2”, prioritet është arsimi dhe aftësimi profesional.
Me këtë rast, Nagavci pati deklaruar se është i domosdoshëm përmirësimi i shkathtësive të të rinjve e të rejave për të qenë kompetentë për tregun e punës, si dhe theksoi rëndësinë e harmonizimit të nevojave të tregut të punës me shkollat profesionale.
Shuma e granteve për çdo projekt varion nga 100,000 – 600,000 euro dhe do kalojë përmes një konkurence të mirëfilltë, pra përmes aplikimeve për grante.
Ky projekt, përveç që ofron mundësinë e përfitimit në infrastrukturë, u mundëson Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe bizneseve fillimin e implementimit të mësimit në vendin e punës si element i sistemit dual.