Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrat Taulant Kelmendi, Arsim Ademi, 30.12.2024

Nagavci me zëvendësit e saj tregoi se ku u shpenzua buxheti i arsimit më 2024

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, së bashku me dy zëvendësministrat e saj, Taulant Kelmendin e Arsim Ademin, kanë prezantuar punët e kësaj Ministrie gjatë vitit 2024 në një konferencë për media të hënën, më 30.12.2024.

Nagavci ka folur për ndërtimin e renovimin e shkollave, ndërtimin e adaptimin e çerdheve, bursat për studentët e nxënësit e shkollave të mesme të larta, mësimdhënësit që i janë nënshtruar provimit për licencën e avansuar për mësimdhënie.

Në fillim të këtij viti, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Nagavci tha se e kanë lansuar programin që e ndërlidh sportin me arsimin dhe shëndetin – Sporti në shkolla.

“Programi “Sporti në shkolla” filloi me zbatimin e kurseve të rregullta sportive për nxënësit si dhe pajisjen e shkollave me mjete të nevojshme për sportin e shahut dhe të basketbollit me qasje të plotë dhe pa pagesë për të gjithë nxënësit brenda mjediseve shkollore” – ka thënë Nagavci.

“U përfshinë gjithsej 34 shkolla të 23 komunave, ndërsa përfituan apo morën pjesë në këto aktivitete mbi 10,000 fëmijë. Ky do të jetë program i vazhdueshëm dhe do të shtrihet në të gjitha komunat në vitet në vijim” – ka deklaruar Nagavci.

Për punësimin e asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta, Nagavci tha se është premtim i mandatit të tyre që e kanë përmbushur suksesshëm edhe këtë vit.

“Kemi trajnuar mbi 409 asistentë të kualifikuar… Ndonëse janë buxhetuar punësimi i 500 asistentëve, aktualisht janë të punësuar 369 asistentë në institucionet edukative të Kosovës” – tha Nagavci.

Nagavci njoftoi po ashtu se në 14 shkolla në Kosovë kanë ndërhyrë për t’i punuar pjerrinat në mënyrë që t’u ofrojnë qasje fëmijëve me karrocë.

Për ndërtimin e çerdheve këtë vit, Nagavci tha se kanë shpenzuar 21,982,000 euro, ndërsa 27,051,000 për ndërtimin e shkollave, dhe 1,014,000 për renovimin e shkollave ekzistuese. 

Gjatë këtij mandati, Nagavci tha se kanë pasur investime në 25 komuna për ndërtimin e çerdheve.

“Kemi tashmë 15 çerdhe të përfunduara, prej tyre janë 8 çerdhe të reja, 7 adaptime të objekteve ekzistuese në çerdhe, i kemi 37 çerdhe të cilat janë në proces të ndërtimit: 29 prej tyre janë çerdhe të reja dhe 8 janë adaptime të objekteve ekzistuese dhe kemi 13 çerdhe të cilat i kemi në proces të tenderimit, prej tyre 9 të reja dhe 4 adaptime” – njoftoi ajo.

Sa i përket teksteve shkollore, ky është viti i dytë që Ministria e Arsimit e ka subvencionuar blerjen e teksteve shkollore përmes platformës “e-Kosova” nga prindërit për nxënësit.

Ashtu siç ka raportuar KALLXO.com më 06.09.2024, Ministria e Arsimit i ka ndarë 20,418,670 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Në krahasim me vitin shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit i ka ndarë 8,167,220 euro më shumë këtë vit për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

Nagavci në konferencën për media tha se janë 36 tekste shkollore të lëndës Matematikë e Gjuhë shqipe të klasave 1 deri 9 që janë rishikuar dhe se nxënësit këtë vit kanë nisur të mësojnë me këto tekste shkollore. 

Nagavci njoftoi se më 27.12.2024 është mbajtur me sukses provimi për licencën e avancuar për mësimdhënie, të cilit tha se i janë nënshtruar 54 kandidatë mësimdhënës të mësimit klasor të gjuhës shqipe dhe të matematikës nga shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta. Kurse, kanë aplikuar më shumë se 100 mësimdhënës.

Disa minuta para se të fillonte protesta e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) më 04.12.2024, ministrja Nagavci kishte njoftuar se është hapur aplikimi për mësimdhënësit që janë të interesuar të pajisen me licencën e avancuar për mësimdhënie.

“Janë gjithsej 7 mësimdhënës që kanë arritur kalueshmërinë mbi 80% që ishte pragu për të vazhduar tutje. Tashmë, pasi që të kenë edhe vlerësimin nga ana e Inspektoratit të Arsimit do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerën monetare prej 1.2% të koeficientit” – tha ajo.

Për mësimdhënësit që nuk e kanë kaluar pragun e kërkuar të provimit për licencën e avancuar me mësimdhënie, Nagavci tha se do të mbahen programe të mbështetjes së zhvillimit profesional.

Ajo ka folur edhe për arsimin dual, për të cilin tha se janë gjithsej 25 shkolla që po e zbatojnë këtë formë të arsimit në 12 profile dhe në 15 komuna.

“Nxënësit e këtyre shkollave 51% të kohës së tyre e kalojnë në ndërmarrje dhe në biznese, janë gjithsej 1,607 nxënës dhe e konsiderojmë një sukses të jashtëzakonshëm për arsimin profesional” – ka thënë Nagavci.

Sipas Nagavcit, këtë vit ka pasur më shumë se 28% rritje të buxhetit për arsim krahasuar me vitet e tjera.

“Buxheti për vitin 2025 do të jetë 417,681,000 euro apo 101 milionë më i lartë se sa në vitin 2020” – ka njoftuar Nagavci.  

Për herë të parë këtë vit u ndanë bursa për studentët e programit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqiptare në nivelin bachelor dhe master në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Kjo jo vetëm për shkak se këto programe ishin në rrezik të mbylleshin për shkak të mungesës së interesimit të studentëve për t’i vijuar këto programe, por për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ky program ka për vendin dhe mënyrave gjegjësisht motivimit të studentëve për të vijuar programet e gjuhës shqipe. Kemi përfitues 113 studentë të cilët regjistruan për herë të parë” – tha Nagavci.

Vetëm këtë vit, sipas Nagavcit, kanë ndarë 500 bursa në vlerë 300 euro për nxënësit e klasave 10 deri 12 për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. 

“Kemi ndarë 19 bursa në vlerë nga 1,000 euro për studentët e Shqipërisë që studiojnë në Kosovë, përderisa studentët nga Kosova që studiojnë në Shqipëri po ashtu do të përfitojnë nga bursa që ndan Republika e Shqipërisë” – ka shtuar ajo.

Ndërsa, 40 nxënëse të klasave 10 deri 12 në drejtimet teknike kanë përfituar bursë 500 euro për një vit shkollor.

Për studentët e doktoratës që studiojnë në top 500 universitetet më të mira në botë, ajo tha se i kanë ndarë 69 bursa në vlerë 8,500 euro. 

“Kemi ndarë 1,885 bursa elitare në vlerë nga 1,000 euro për secilin student që ka arritur rezultate dhe notë të lartë mbi 9” – ka thënë Nagavci.

Edhe këtë vit, Ministria e Arsimit u ka ndarë bursa në vlerë 1,000 euro studentëve që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (bursat STEM).