Arbërie Nagavci

Nagavci: Me Ligjin e ri të pagave nuk do të dëmtohet asnjë i punësuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me Ligjin e Pagave në vitin e parë nuk do të ketë asnjë dëmtim të asnjë të punësuari në sektorin publik.

“Në jemi në punë për finalizimin e legjislacionit sekondar që nënkupton edhe shtesat dhe llojet e shtesave, ligji përcakton shtesat funksionale, pra për ata që janë në pozita të caktuara udhëheqëse përtej shtesës funksionale është edhe Ligji për Zyrtarët Publikë që përcakton të gjitha llojet  e shtesave”- ka thënë Ministrja.

Nagavci ka thënë se për mësimdhënësit të cilët marrin licencën e avancuar do të ketë shpërblime në pagë.

“Për të marrë shtesën e licencës së avancuar, fillimisht duhet të merret licenca e avancuar dhe ne jemi duke bërë të gjitha përgatitjet paralelisht, pothuajse është përfunduar puna për udhëzimin e ri administrativ për licencimin e mësimdhënësve besoj që është çështje ditësh që jetë në shqyrtim paraprak dhe dëgjim publik”- ka thënë Nagavci.

Më 1 shkurt 2023 është publikuar vlera e koeficientit prej 105 euro, e cila është rregulluar me Ligjin e Pagave për sektorin publik.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), përmes një reagimi ka kërkuar që të zbatohet Ligji i Pagave me koeficientin e ri me vlerë prej 105 euro.

“SBAShK-u për momentin mendon që ligji duhet të fillon zbatimin me pagat e muajit shkurt 2023 dhe me të metat eventuale të ligjit të përmirësohen gjatë kohës sa është duke u zbatuar ligji”- thuhet në reagimin e SBAShK-ut.