Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Kam aktivizuar Inspektoratin e Arsimit për rastin në Pejë, por raporti ka qenë i mangët

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në ‘Kallxo Përnime’ ka folur për rastin e fundit në Pejë, ku u raportua se disa nxënës të komuniteteve pakicë janë të ndarë nga pjesa tjetër e nxënësve në Festën e Abetares, në një organizim në sallën Karagaç në Pejë.

“Në rastin në Pejë unë kam shkuar në shkollë dhe kam kërkuar menjëherë sqarime. Kam aktivizuar inspektoratin dhe të shkoj në shkollë e të shoh nga afër të gjitha detajtet edhe të kemi perspektivën e nxënësve cka kanë thënë ata, cka ka thënë mësimdhënësja, si ka qenë situata, sepse është kuptu që ata kanë qenë nxënës që kanë vijuar mësimin intensiv”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se e ka kthyer prapa një raport të Inspektoratit të Arsimit për këtë çështje sepse ka qenë joprofesional.

“Në raportin e Inspektorit që unë veç e kam pranuar dhe ka qenë i mangët dhe ka qenë një raport që nuk i plotëson kriteret dhe nevojat madje as në nivelin mesatar, dhe ia kam rikthy me vërejtje që të plotësohet edhe besoj që në fund të ditës mund të jetë publik me rekomandimet e inspektorëve. Unë e kam dërguar që të plotësohet dhe e ka bërë njëri nga inspektorët që ka qenë përgjegjës për këtë raport”, tha Nagavci më tej në ‘Kallxo Përnime’.

Javën e kaluar opinioni u trondit nga pamje të disa nxënësve të komunitetit pakicë që ishin ndarë nga Festa e Abetares nga një organizim të një shkolle në Pejë.

Drejtori i shkollës fillore “Xhemajl Kada” dhe drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, e kishin quajtur shtrembërim të realitetit dhe keqinteprestim raportimin që disa nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipas janë diskriminuar në programin e Festës së Abetares.

.