Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, Foto: KALLXO.com
Nagavci: Do të garantoj që askush të mos ndërhyjë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se e kanë vendosur si prioritet qeverisës mbështetjen për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Këtë deklaratë ajo e dha në prezantimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025.
“Për këtë periudhë kemi realizuar të gjitha ato që i kemi planifikuar, duke filluar në pavarësimin e saj. Me marrjen e mandatit e kemi gjetur KShC-në jo funksionale që e ka pamundësuar funksionimin dhe me transparencë të plotë e kemi aktivizuar KShC-në”, tha ajo.
Nagavci ka shtuar se plotësimi me anëtarët e rinj është vlerësuar edhe në raportin Komisionit Evropian.
“Projektligji për AKA ka kaluar në Komision sot dhe i mirëpresim komentet e gjithë deputetëve dhe do të garantojë që askush të mos ndërhyjë në AKA sikur në të kaluarën”, tha ministrja.
“E kemi siguruar një objekt të ri për AKA dhe po plotësohet njëri nga kriteret për rikthim në ENCA dhe EQAR, po ashtu janë 9 të punësuar dhe besojmë gjatë këtij viti do të arrijë qe të punësojë edhe më shume staf në AKA”, shtoi Nagavci.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha janë munduar që sa më shpejt të emërojnë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
“Nyja e krejt sfidave është arsimi, në mënyrë që sfida të na ofrohet një mundësi ma duhet arsimi, nëse arsimi nuk është sfidë na mbetet tentativë. Ne si parlament jemi munduar qe sa më shpejtë të emërojmë anëtarët e KshC në mënyrë që të mos humbin kohën programet për akreditim. Ligji për AKA do të kufizojë mandatin rolin dhe kompetencat e kësaj agjencie”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, drejtori i Agjencisë për Akreditim, Naim Gashi tha se puna kryesore e tyre është me procesin e akreditimit.
“Vitin e kaluar për shkak të pandemisë kanë qenë 239 programe, por kemi arritur që të përmbyllim gjithë procesin me sukses. Këtë vit kemi më pak programe se vitin e kaluar. Krahas plotësimit të kriterit për anëtarësim në ENQA, ne kemi synim që të zhvillojmë edhe programe akademike që janë të lidhura kyç për tregun e punës. Plani jonë strategjik është i lidhur ngushtë më planin strategjik të arsimit në Kosovë”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se objektivë kryesore kanë riantarësimin në organizatat ENQA dhe EQAR.
“Sfida jonë më e madhe ka qenë ajo tentative me qenë në proces të akredtitimit sa më shume programe. Që nga prilli i këtij viti ne do të monitorojmë gjitha institucionet në lidhje me rekomandimet që i japin ekspertët ndërkombëtarë në raportet e tyre”, tha ai.