Nagavci dhe Hoxha vazhdojnë debatin për anëtarin ndërkombëtar të KShC-së

Një debat rreth emërimit të anëtarit ndërkombëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Klemen Miklaviq është zhvilluar mes ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha sot në Kuvendin e Kosovës.

Në fillim të seancës, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se ka kërkuar interpretim nga Agjencia Kundër Korrupsion, për anëtarin ndërkombëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Klemen Miklaviq, për mundësinë e konfliktit të interesit, pasi Miklaviq është kryetar i një komune në Slloveni.

Pas kësaj, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se pikat e udhëzimit administrativ që i është referuar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha nuk vlejnë për anëtarët ndërkombëtar.

“Udhëzimi Administrativ që është nxjerr pas datës 7 mars të vitit 2018, i ka disa kritere me lidhje të qenit anëtar dhe ne besojmë nga formulimi i gjashtë pikave të nenit 4 të udhëzimit nuk mund të interpretohet njëjtë për anëtarët vendor dhe ndërkombëtarë, më saktësisht tek kriteri 1.1 që lidhet me politik”, tha Nagavci.

“Ai është si i pavarur, ai nuk është anëtar i asnjë partie politike në një qytet të një shteti anëtar të BE… Ju përgëzoj që e keni dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion presim përgjigje dhe pastaj veprojmë konform edhe rekomandimeve që japin, çdo diskutim politik dhe ndërhyrje në punën e KShC vetëm se mund ta shfrytëzojë rikthim në ENQA dhe EQAR që besoj s’është qëllimi”, tha më tej Nagavci.

Por, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha i replikoi ministres Nagavci.

“Unë po e theksoj edhe niher se tek udhëzimi administrativ aktual tek pa pajtueshmëria e anëtarit të KShC ka ushtruar asnjë post politik në vitet e fundit. Ministre pikat e tjera e specifikojnë vendin, pika 1.2 është themelues, bashkëthemelues, anëtar i bordit, bartës funksional në ndonjë institucion të arsimit të lartë në Kosovë, pikat specifike për anëtarët vendor kanë vendin thuhet në Kosovë, pika e 1 nuk e specifikon vendin vlen për të gjithë anëtarët vendor”, tha ajo.

Sipas Hoxhës, Antikorrupsion do ta qartësojë nëse është shkelje emërimi i tij në këtë pozitë.

“Për mua ai mund të mos jetë anëtar i ndonjë partie politike, por posti i kryetarit të komunës është post politik dhe kam brengën se çdo nënshkrim i tij mund të kontestohet dhe meqë po flasim për kriteret, duhet ta qartësojë Antikorrupsioni a është shkelje apo jo”, tha deputetja e PDK-së.

Klemen Miklaviq u zgjodh anëtar i KShC-së nga Kuvendi i Kosovës më 19 tetor të vitit 2021. Ai është i vetmi anëtar ndërkombëtar në KShC, pasi ish-anëtarët e tjerë dhanë dorëheqje në korrik të vitit 2021.

Më 18 janar, Miklaviq u emërua nënkryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.