(Mos) përfillja e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës

Në tetor të vitit 2022, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kishte njoftuar për vendimin për të ndryshuar kalendarin e vitit shkollor 2022-23, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

Sipas këtij vendimi të MASHTI-t ishte paraparë që të punohet ditëve të shtune, ku sa i përket vitit 2022 ka qenë e paraparë që në muajin tetor, 2022 mësimi mbahej më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022; në muajin nëntor, 2022 mësimi të mbahej më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022, ndërsa në muajin dhjetor, 2022 mësimi të mbahej më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022.

Mirëpo, Vjollca Shala, nënkryetare në Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka thënë se pavarësisht këtij vendimi të MASHTI-t, ditëve të shtuna, në shumicën e shkollave të Kosovës nuk është zhvilluar procesi mësimor.

“Orët e humbura gjatë grevës sipas kontratës të nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t thuhet se nuk zëvendësohen. Andaj, mësimdhënësit duke e ditur dhe njohur kontratën kolektive nuk kanë shkuar në vendin e tyre të punës për zëvendësim të orëve të humbura gjatë grevës, ditëve të shtuna” – ka thënë Shala në një pronocim për KALLXO.com.

Ajo tutje përmendur se edhe prindërit kanë kërkuar që orët e humbura gjatë grevës të mos zëvendësohen ditëve të shtuna andaj edhe shumica e prindërve nuk i kanë dërguar fëmijët në shkolla në ato ditë.

Vetëm pak ditë pasi kalendari i ri i vitit të ri shkollor 2022/2023 ishte bërë publik, Ministrja e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavcit kishte deklaruar para mediave se inspektorët e arsimit do të dalin në terren për të mbikëqyrur zbatimin e mbajtjes së mësimit nëpër shkolla për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ndër të tjera, Nagavci kishte thënë se mosmbajtja e orëve është vepër penale.

Porse, nënkryetarja e SBASHK-ut ka thënë për KALLXO.com se kanë informacione që inspektorët kanë dalur vetëm në fillim të ditëve të parapara për zëvendësim.

“Nga disa kryetarë të sindikatave të niveleve komunale kemi dëgjuar se kanë dalur inspektorët, por vetëm në fillim, por më pastaj nuk kemi informacion se kanë dalur inspektorët e arsimit për të verifikuar” – është përgjigjur Shala.

Përgjigjet e Drejtorive Komunave të Arsimit 

KALLXO.com ka arritur të sigurojë përgjigje nga gjashtë përfaqësues të Drejtorive të ndryshme Komunale të Arsimit (DKA) në Kosovë, të cilët kanë pohuar se numri i prindërve që i kanë dërguar nxënësit në shkollë gjatë ditëve të shtuna ka qenë i vogël.

Remzi Bajselmani, drejtor i DKA-së në Komunën e Suharekës ka thënë se kanë qenë vetëm dy shkolla që në disa të shtuna e kanë bërë zëvendësimin e orëve të humbura.

“Shkolla ‘Dëshmorët e Tivarit’ në Peçan katër të shtune kanë zëvendësuar, ‘Destan Bajraktari’ ka mbajtur dy ditë por ka filluar të bjerë pjesëmarrja e nxënësve shumë, pastaj kanë filluar ta ndërpresin” – është përgjigjur Bajselmani.

Edhe Rasim Hasani nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Lipjan ka thënë për KALLXO.com se është respektuar kalendari i riformuluar, mirëpo, sipas tij, efekti i zëvendësimit ka qenë shumë i vogël.

“Në shumë shkolla nuk kanë shkuar nxënësit fare, në disa shkolla kanë shkuar numër shumë i vogël. Mësimdhënësit nuk kanë refuzuar të vijnë por kryesisht nuk ka pasur nxënës. Varet shkolla prej shkollës, disa shkolla kanë mbajtur me një numër të caktuar, pak ka pasur që ka qenë numri i kënaqshëm” – ka thënë ai.

Gjendje pothuajse e njëjtë po del të ketë qenë edhe në Komunën e Prizrenit.

Sipas udhëheqëses së DKA-së në këtë komunë, Luljeta Veselaj-Gutaj, numri i shkollave që herë pas here kanë mbajtur mësim ka qenë i pakët dhe se programi i planifikuar nuk është  realizuar ashtu siç ka qenë i paraparë.

“Ne gjatë gjithë kohës njoftimet nga ministria dhe inspektorati i kemi përcjellë në shkolla. Mësimdhënësit edhe drejtuesit e shkollave kanë dalë (në shkollë), mirëpo këshilli i prindërve ka marrrë vendim dhe fëmijët nuk i kanë dërguar në shkollë” – ka qenë përgjigja e Veselaj-Gutaj për KALLXO.com

Se pak nxënës kanë marrë pjesë në mësim gjatë ditëve të shtuna është thënë edhe nga Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu.

“Nëpër këto ditët e shtune, gati fare nuk kanë qenë nxënësit, ndërsa mësimdhënësit kanë qenë prezentë gjithmonë. As dy-tri shkolla nuk kanë shkuar, numri minimal i nxënësve” – ka thënë Kadriu.

Ajo tutje ka shpjeguar se numri më i madh i nëxënsve i kanë humbur mësimet e shpjeguara gjatë të shtunave për shkak të mos prezencës në shkollë.

“Problemi është që edhe ata nxënës që kanë hyrë nga dy-tre nëpër shkolla, nëpër klasë, duhet të konsiderohet që mësimi nuk është mbajtur sepse numri më i madh i nxënësve nuk e kanë dëgjuar atë mësim. Nuk ka asnjë logjikë mbajtja e mësimit domethënë edhe aty ku kanë shkuar”

Mirëpo, Kadriu ka thënë se ajo nuk ka ndërhyrë në këtë situatë në mëmnyrë që të mos politizohet gjendja.

“Unë nuk kam ndërhyrë për shkak se kam ndërhyrë për t’i shpërndarë urdhrat nga Ministria e Arsimit, që mos me politizu dhe me e ndihmu procesin që të realizohen orët e mësimit” – është përgjigjur udhëheqësja e DKA-së në Mitrovicë.

Në anën tjetër, Lulzim Sahiti nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Shtime ka përmendur shkollat në të cilat është mbajtur mësimë gjatë të shtunave të parapara për zëvendësim.

“Nëpër disa shkolla po, nëpër disa jo, por mësimdhënësit kanë qenë në të gjitha shkollat” – ka thënë Sahiti.

“Për shembull, shkolla ‘Lazgdush Poradeci’ që i ka pesë paralele të ndara ajo i ka mbajtur komplet pjesët, pra e ka përcjellë mësimin, ‘Skënderbeu’ gjithashtu e ka përcjellë, ‘Idriz Ajeti’ po, është ‘Emin Duraku’ për shembull që jo, kështu në këtë formë” –ka vijuar ai.

Edhe Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova Baçi ka thënë se zëvendësimi i orëve të humbura është bërë pothuasje në të gjitha shkollat, megjithatë në përgjigjen e kësaj drejtorie nuk është specifikuar numri i shkollave që e kanë bërë këtë gjë.

“Jemi munduar maksimalisht që të mbajmë mësimin plotësues në mungesë të kuadrove, kemi angazhuar mësimdhënës me fond të orëve mbi normë, pasi Udhëzimi Administrativ ka mundësuar që këta mësimdhënës të paguhen” – ka thënë Kumnova Baçi për KALLXO.com.

Ndërkaq, të enjten e 29 dhjetorit 2022, gjatë konferencës së fundvitit për media, ministrja Nagvci ka thënë se mbajtja e orëve mësimore është duke vazhduar sipas klendarit të ri për zëvendësimin e orëve mësimore.

“Ka pas tendenca për mos mbajtje të orëve të mësimit, unë konsideroj se arsyet për këto janë disa. Kalendari i ri është në fuqi dhe po vazhdon reazilimi i tij, Së fundmi kemi pranu një kërkesë nga kryetari i Këshillit Drejtues, pot kërkesa të cilat janë paraqitur të tilla si vendime individuale qoftë të përfaqësuesve të këshillave apo të shkollave nuk duhen të prodhojnë efekte juridike”- është shprehur Nagvaci.

Reagimet nga Këshilli i Prindërve të Kosovës

Në lidhje me kalendarin e publikuar nga MASHTI kishte pasur reagime edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës të cilët përmes një postimi në Facebook kishin deklaruar se janë kundër mësimit të shtunave.

Mirëpo, në mesin e prindërve që ka vendosur t’i dërgojë fëmijët në shkollë gjatë ditëve të shtuna është Prel Berisha nga Gjakova.

“Në çdo ditë të kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit i kam dërguar. Shumica i kanë dërguar fëmijët në shkolla ndërsa në raste të rralla edhe kanë mungu” – ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Megjithatë, ai ka theksuar, se jo gjithmonë ka pasur vullnet nga fëmijët e tij që të shkojnë në shkollë gjatë zëvendësimeve që janë bërë në fundjavë.

“Për çdo ditë nuk kanë pas vullnet me shku por duke e pa se është e domosdoshme që mësimi të zëvendësohet atëherë gjithesesi kjo sado pak i përmbush mangësitë në orët mësimore” – është shprehur ai.

Sipas vendimit të ri të kalendarit të vitit shkollor 2022/2023, gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet shkollore parauniversitare përfundon më datën 27 janar 2023 gjersa gjysmëvjetori i dytë fillon me datën 6 shkurt 2023.

Për këtë së fundmi ka pasur reagim nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Përmes Facebook-ut ky këshill ka njoftuar se kanë pasur një propozim drejtuar Ministres së Arsmit Arbërie Nagavci që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023.

Mirëpo, sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, kjo kërkesë iu është refuzuar nga MASHTI.

“Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë” – thuhet në postim.

Megjithatë, Demi u ka bërë thirrje prindërve në Kosovë që ta respektojnë këtë vendim të Ministrisë së Arsimit duke thënë se shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune, andaj, sipas Demit, mungesa e nxënësve vetëm ua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave.

“Përkundër që gjykojmë se pushimi i menduar në fund të janarit e jo në fillim të tij, nuk është zgjidhja e dëshiruar dhe më e mira për prindërit e nxënësit, ju ftoj, prindër të nderuar, që ta respektoni këtë vendim dhe më 4 janar të vazhdojë mësimi”- ka thënë ai në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Sipas vendimit për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-23 është paraparë që në muajin janar 2023 mësimi mbahet me datë 14 janar.

Sipas paragrafit 8 të nenit 34 në Kontratën Kolektive të nëshkruar nga SBASHK-u dhe MASHTI, orët mësimore të humbura gjatë grevës nuk zevendësohen.

“Orët mësimore të humbura gjatë grevës nuk zevëndësohën, përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë marrëveshje të veçantë”-thuhet në këtë kontratë.

Mirëpo, më 21 nëntor 2022, kjo kontratë e nënshkruar në vitin 2021 u shkëput njëanshëm nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK nga 25 gushti 2022 kishte nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend duke kërkuar rritje të rrogës 100 euro për të gjithë punësuarit deri në miratimin dhe zbatimin e Ligjit për paga dhe disa kërkesa të tjera.

Greva në arsim ishte pezulluar më 1 tetor 2022 deri në janar të vitit 2023.

Ndërkaq, të mërkurën e 28 dhjetorit, SBASHK-u i ka propozuar BSPK-së që ta mbyll grevën e pezulluar më 1 tetor.

“Duke u nisur nga fakti se Ligji i pagave është votuar nga Parlamenti dhe pritet të nis implementimi i tij në shkurtin e vitit 2023 e që ishte kërkesë kryesore e SBASHK-ut, Kryesia dhe Këshilli Grevist kanë dalë para kryetarëve të nivelit komunal sindikal e të Universiteteve me propozimin që SBASHK-u t’i drejtohet BSPK-së që të merret vendim për mbylljen e grevës së pezulluar më 1 tetor 2022” – është thënë në njoftimin e publikuar nga kjo sindikatë.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit e këtij takimi e kanë aprovuar këtë propozim unanimisht pas diskutimeve që janë zhvilluar lidhur me këtë çështje.