5-vjeçari nga Ferizaj, të cilit iu mohua shkuarja në shkollë për shkak të flokëve të gjatë - Ilustrimi: KALLXO.com

Mohimi i së drejtës për arsim për shkak të dukjes fizike

Flokët e gjatë deri në supet e tij, u bënë arsye që 5-vjeçari nga Ferizaj të mos mund të ndjekë mësimin në shkollën e qytetit të tij, pasi drejtoria e shkollës kishte hartuar një rregullore, e cila ua ndalon djemve rritjen e flokëve. 

5-vjeçari nga Ferizaj nuk ka mundur të vazhdojë mësimin në shkollën ku e dërguan prindërit në parashkollor, ashtu si bashkëmoshatarët e tij këtë muaj.

Vetëm dy ditë pasi kishe nisur mësimin në shkollën fillore të mesme të ulët “Jeronim de Rada” në Ferizaj, prindërit ishin njoftuar se fëmija i tyre nuk mund të vijojë mësimin për shkak të dukjes së tij.

Kjo shkollë kishte hartuar një rregullore me 16 pika. Njëra prej tyre ua ndalonte djemve rritjen e flokëve.

Në pikën e 16-të të dokumentit të cilin e siguroi KALLXO.com, thuhej: “Ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve te djemtë”. “Me mosrespektimin e këtyre rregullave shkollore pasojnë ndëshkimet!!!” – paralajmërohej në fund të letrës.  

Pas raportimit të KALLXO.com për këtë rast, Inspektorati i Arsimit rekomandoi kthimin në shkollë të fëmijës, ndërsa Drejtoria e Komunale e Arsimit (DKA) në Ferizaj ka bërë të ditur se kanë filluar procedurat disiplinore ndaj Servete Hajrullahut, drejtoreshë e shkollës fillore “Jeronim de Rada”. Kjo e fundit ka paralajmëruar ndryshimin e rregullores.

Fadil Idrizi, babai i 5-vjeçarit kishte kërkuar arsyetim rreth këtij vendimi nga drejtoresha e shkollës, nga Drejtoria Komunale e  Arsimit dhe nga Inspektorati i Komunës, por fillimisht nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

I brengosur për situatën me të birin, ai shprehu ankesën e tij, duke folur për KALLXO.com.

“Kam një hall për djalin tim 5-vjeçar, të cilin drejtoresha ma ka larguar nga shkolla më të drejtën që fëmija nuk mund të vijë në shkollë, si parashkollor, për arsye vetëm pse i ka flokët e gjata” – kishte thënë Idrizi.

 Më 11 tetor 2022, KALLXO.com kishte provuar ta takojë drejtoreshën e shkollës “Jeronim de Rada”, Servete Hajrullahu për të marrë një qëndrim rreth këtij vendimi por ajo nuk gjendej në shkollë.

 KALLXO.com kishte tentuar pastaj të flasë me të përmes telefonit, por drejtoresha sapo e ka kuptuar se kush po e telefonon, e ka ndërprerë lidhjen.

Ndërsa, nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj fillimisht patën thënë se “janë të zënë nga puna në terren” dhe nuk ishin përgjigjur atë kohë.

Rregullorja e shkollës “Jeronim de Rada” në Ferizaj- FOTO: KALLXO.com

Reagimet e institucioneve arsimore

Thirrjet për kthimin 5-vjeçarit në bankat shkollore kishin mbetur vetëm thirrje deri në momentin e publikimit të rastit të tij në KALLXO.com, i cili bëri bujë të madhe në opinionin publik. 

Pas publikimit të artikullit, këshilltari ligjor i Arbërie Nagavcit – ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj, kishte kërkuar që Inspektorati i Arsimit të merret me rastin dhe fëmija të kthehet në shkollë.

Brenda 24-orëve Inspektorati i Arsimit është takuar me Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj për të diskutuar për ndalimin e shkollimit të pesë vjeçarit.

Bujar Bajrami nga Zyra e Inspektoratit të Arsimit, ka bërë të ditur se kanë rekomanduar që E.I. të kthehet në shkollë dhe të rishikohen rregulloret e shkollave.

“Rekomandimet do t’i japim me shkrim dhe rekomandimi është që nxënësit me ia mundësu që me vazhdu mësimin e rregullt. Ky rast përfundon me kthimin e nxënësit në shkollë” – kishte thënë Bajrami për KALLXO.com.

Ndërsa, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj, kishte bërë të ditur se do të veprojnë në bazë të rekomandimeve të Inspektoratit.

“Ne, sot gjatë ditës kemi qenë në shkollë, aty kemi takuar edhe inspektoratin e arsimit dhe jemi dakorduar që inspektorati të merret me rastin dhe pastaj në bazë të rekomandimeve që do marrim edhe do të veprojmë”- ka thënë Llabjani më 12 tetor 2022.

Në anën tjetër,  drejtoresha e shkollës, Servete Hajrullahu, ka thënë se rregullorja do të ndryshohet.

“Unë jam ne kontakt të vazhdueshëm me organet e shkollës, dhe brenda afatit kohor të caktuar nga ana e Inspektoratit do të bëhen ndryshimet e nevojshme në rregulloren e shkollës” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

 Më 13 tetor prindërit e fëmijës janë njoftuar që djali i tyre mund kthehet në shkollë, por babai i 5-vjeçarit, Fadil Idrizi tha për KALLXO.com se kanë vendosur që të birin ta dërgojnë në shkollën tjetër, “Tefik Canga” në Ferizaj.

“Për arsye se ne si prind jemi të pa kënaqur dhe kur e dërgova në shkollën tjetër fëmija e gjeti ngrohtësinë e vet aty dhe kjo është arsyeja pse e kemi dërgu në një shkollë tjetër”- tha Idrizi.

Idrizi ka bërë të ditur se në rast se shkolla “Jeronim de Rada” do të ndërrojë drejtoreshën, ai do të mendojë kthimin e djalit në këtë shkollë.

Pak kohë më vonë, Bashkim Bytyçi, zyrtar për Arsim në DKA-në në Ferizaj ka bërë të ditur se “DKA-ja, ka filluar procedurën disiplinore dhe brenda 15 ditësh do të dalë me vendim ndaj drejtoreshës në fjalë”.

Por nga drejtoria e shkollës kanë thënë se rregullorja është përpiluar vite më parë dhe është trashëguar mandat pas mandati dhe se sipas tyre “qëllimi i rregullores ishte t’i shërbente shkollës dhe jo të cenonte në karakterin personal të askujt”.

“Ndërkaq, me datë 13.10.2022, kemi pranuar procesverbalin e mbajtur gjatë inspektimit tematik me qëllimin e inspektimit ‘Shqyrtimi i rastit të publikuar në media mohimin (largimin) e fëmiut 5 vjeçar nga procesi mësimor në ShFMU ‘Jeronim de Rada’, ku me këtë procesverbal kemi marrë rekomandimin që Drejtoria e Shkollës në koordinim me Këshillin Drejtues të Shkollës të rishikojmë rregulloren e shkollës dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme në rregulloren e shkollës, prandaj menjëherë do të bëhet koordinimi në mes Drejtorisë dhe Këshillit Drejtues së Shkollës që brenda afatit kohor të përcaktuar në procesverbal të bëjmë ndryshimet e nevojshme”- thekson drejtoria.

Për këto zhvillime u deklaruan sërish edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Edona Kutleshaj, zëdhënëse e MAShTI-t, tregoi për masat që mund të merren nga ana e tyre.  

“Ministria në këtë rast mund të aktivizohet vetëm pas shtjerrjes së mjeteve juridike brenda komunës. Mirëpo, në rastet kur vërehet se ka shkelje të ligjit, atëherë MASHTI mund të aktivizojë Inspektoratin e Arsimit për të konstatuar gjendjen dhe rekomanduar veprime konkrete. Raste të tilla nuk kemi pranuar deri më tani”, ka thënë ajo.

5-vjeçari po vazhdon mësimin në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, ndërsa përkrahja e prindërve të tij nuk mungon.

Shkelja e së drejtës themelore për arsim 

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë kanë dënuar mohimin e së drejtës për shkollim të 5-vjeçarit nga Ferizaj.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka thënë se është e domosdoshme të bëhet “rishikimi i rregulloreve të cilat përmbajnë dispozita diskriminuese për fëmijët”.

“KOMF konsideron si shumë shqetësues largimin e fëmijës nga klasa parafillore për shkak të ‘flokëve të gjatë’, duke mohuar kështu të drejtën e fëmijës për arsim. Mbrojtja nga diskriminimi, trajtimi i barabartë dhe e drejta për arsim garantohen dhe mbrohen me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën për Republikës së Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- thuhej në reagimin e KOMF-it.

Kurse organizata “Save the Children” ka thënë se çdo institucion arsimor zhvillon politika të ndryshme, të cilat në parim duhet të respektojnë dinjitetin dhe të drejtat e fëmijës, duke mos diskriminuar asnjë fëmijë apo privuar nga e drejta për arsim.

“E drejta e fëmijës për edukim është e drejtë themelore e cila garantohet me ligj dhe derivon drejtpërdrejt nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve. Çdo fëmijë pa dallim etniciteti, race, seksi, religjioni, orientimi seksual, statusi ekonomiko-social apo ndonjë faktor tjetër identiteti, gëzon të drejtën të edukohet”- kanë thënë “Save the Children”.

Për këtë rast, kishte reaguar edhe Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt.

“Largimi i fëmijës nga drejtoresha e Sh.F.M.U ‘Jeronim De Rada’ është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-032 të Arsimit Parauniversitar dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, pasi ky vendim për largimin e fëmijës është marrë mbi bazën e dukjes së tij fizike”- thuhej në reagimin e Kuvendit të Rinjve të Ferizajt.

Tutje, Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt i kishte bërë thirrje Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj dhe MASHT-it, të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të kthyer në bankat shkollore nxënësin dhe të shfuqizohet Rregullorja diskriminuese për bartjen dhe rritjen e flokëve tek djemtë, e kjo të përcillet gjithashtu edhe me shkarkimin e drejtoreshës së shkollës.

E drejta për shkollim e fëmijëve është ndër çështjet e para, e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 47 – E Drejta për Arsim, përcakton se “Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohen me ligj dhe financohet nga fondet publike” dhe  “Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj”.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës në Kosovë, neni 1, pika 1.2 thotë se Ligji garanton “Të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës”.

Në anën tjetër, Raporti i Progresit i publikuar nga Komisioni Evropian për vitin 2022 për Kosovën këtë vit ka përmendur edhe sfidat në arsim.

“Dhuna në shkolla, përfshirë bullizmin, është në rritje. Duhet të krijohen skema të qëndrueshme financimi për ofruesit e shërbimeve, duke përfshirë të drejtat e fëmijëve”- theksohet në këtë raport.