Ministrja Nagavci viziton shkollën ‘Faik Konica’, kërkon respektim masash në mënyrë që mësimi të vazhdojë me prezencë fizike

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me rastin e fillimit të periudhës së dytë të vitit shkollor 2021/22 vizitoi shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Në një komunikatë për media të MAShT-it thuhet se ministrja ka uruar për fillimin e pjesës së dytë të vitit shkollor.

“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me rastin e fillimit të periudhës së dytë të vitit shkollor 2021/22 vizitoi shkollën “Faik Konica” në Prishtinë prej ku ka përcjellë mesazhin për fillimin e periudhës së dytë të vitit shkollor me urimin që edhe kjo periudhë të shkojë mirë dhe nxënësit të kenë kuriozitet për të mësuar gjëra të reja”, thuhet nga MASht.

Ministrja ftoi mësimdhënësit dhe nxënësit të kenë kujdes maksimal në respektim të masave mbrojtëse, në mënyrë që mësimi të vazhdojë me prezencë fizike.

“Ministrja Nagavci po ashtu i ka ftuar nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe stafin tjetër të shkollave, që të kenë kujdes maksimal në respektimin e masave mbrojtëse në mënyrë që procesi mësimor të vazhdojë të zhvillohet me prezencë fizike”, thuhet tutje në komunikatë.

Ministrja Nagavci tutje potencoi se, të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore janë që shkollat të mbahen të hapura, për çka edhe kërkoi vaksinim të plotë dhe angazhim të përbashkët në mënyrë që të përmbyllet me sukses edhe kjo periudhë.

Gjithashtu, në komunikatë theksohet se ministrja Nagavci ka pritshmëri që Kosova të shënojë sukses më të mirë në Testin PISA, i cili do të organizohet gjatë këtij viti, ndërkaq shtoi se përmirësimi i gjendjes është i mundur vetëm me angazhimin e të gjithëve.

Mësimi fillon me prezencë fizike në të gjitha shkollat e Prishtinës