Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Nagavci komenton marshin e nxënësve ‘S’po shkohet në shkollë’

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se i gëzohet aktivizimit të të rinjve dhe mendimit se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët.

Nagavci përmes rrjetit Facebook ka potencuar se ndan shqetësim të përbashkët për gjendjen në sistemin e arsimit pas marshit të sotëm të nxënësve nga gjithë komunat e Kosovës që kërkuan cilësi e kushte më të mira në shkolla.

“I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët. Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit, ata kanë të drejtë dhe meritojnë të kenë edukim cilësor, kushte të mira të punës, ambiente të sigurta e mundësi të barabarta. Puna ime dhe angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos përkushtimit kërkon edhe kohë dhe durim”, ka shkruar Nagavci.

Ajo shtoi se MASHT është i hapur për bisedime në ndërmarrje të hapave konkret për gjendjen e tanishme në arsim.

Nagavci ndau edhe disa detaje prej vendimeve që kanë marr, përfshirë programet e bursave, praktikës, digjitalizmi e renovimi i infrastrukturës.

Gjatë një viti në qeverisje, sipas Nagavcit kanë punuar në infrastrukturë të shkollave, kanë rritur buxhetin për arsim si dhe kanë ndarë para për përmirësim të praktikës profesionale.

“Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve vetëm disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga nxënësit:Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022; Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike”, ka shkruar Nagavci.

Tutje, Nagavci përmendi edhe qendrat e karrierës, hartimin e PSAK 2022/26 dhe financimin për arsimin parauniversitar.

“Themelimi i pesë Qendrave të Karrierës; tre të tjera janë në proces; Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit); Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë”, shtoi ajo.

Vendime tjera gjatë një vitit qeverisje, sipas ministres, janë organizmi i brendshëm i shkollave, digjitalizmi e zhvillimi profesional i mësimdhënësve.

“Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh, mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional, rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla”, tha ministrja.

Në listën e vendimeve Nagavci rendit edhe sigurinë në shkolla e mbështetjen për fëmijët me nevoja të veçanta.

-“Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët; Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian; Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla”, shtoi ministrja.

Në mesin e vendimeve, Nagavci nuk la pa përmendur edhe bursat e programet ndërkombëtare.

-“Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit; Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON; Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike, Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore; 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta; 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara”.

Në fund, ministrja përmendi edhe Funksionalizimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe rifunksionalizimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Arbërie Nagavci tutje shtoi se rezultatet në arsim do të përmirësohen.

“Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër. Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim, me shkolla që ofrojnë ambiente miqësore, mësimdhënie cilësore e kreative, infrastrukturë të kompletuar e mundësi të barabarta” ka thënë ministrja Nagavci.

Më moton ‘S’po shkohet në shkollë’ dhe thirrje të shumta për barazi e siguri në arsim është mbajtur marshi i  Këshillit të Nxënësve të Kosovës  në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet për mungesën e cilësisë në arsim.

VIDEO – Nxënësit marshojnë për cilësi, barazi e siguri në arsim