Ministrja Nagavci: Do ndajmë bursa për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë vizitës në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, ka thënë se diskriminimi nuk ka vend në shkollat e Kosovës.

Nagavci shtoi se ka vizituar edhe disa klasë të integruara të mësimit të rregullt ku vijojnë mësimin rreth 230 nxënës të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian dhe rreth 100 të komunitetit boshnjak.

“Vizitova sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian”, shkroi ajo.

“Me këtë rast, vizitova disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe bisedova me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë”, tha Nagavci.

Sipas saj, pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese,  të papranueshme dhe se diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona. 

Ministrja potencoi se si Ministri kanë ndarë 500 bursa për nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas dhe këtë vit, për herë të parë, do përkrahin me bursa edhe studentët e e këtyre komuniteteve.

“Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona”, shtoi Nagavci.

“Është  e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile”, shtoi tutje ajo.

Nagavci u shpreh se për rastin e djeshëm, Ministria ka dërguar inspektorët që do shqyrtojnë në detaje informatën. Sipas saj, bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv ku ka nxënës të moshave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme.

“Për rastin e e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”, ka thënë Nagavci.

Tutje, Nagavci shtoi se si shoqëri kemi ende shumë punë në fushën e gjithëpërfshirjes.

“Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar”, ka thënë ministrja.