Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Arsimit tregon arsyen e vonesës së bursave të studentëve elitarë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka treguar se vonesat e bursave për studentët elitarë për vitin akademik 2019/2020, të cilat i jep ajo, janë vonuar për shkak të gabimeve teknike tek xhirollogaritë e studentëve të cilat janë lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se, mosekzekutimi i mjeteve për një pjesë të përfituesve të bursave (rreth 1 mijë studentë) ka ndodhur për shkak që listat e dorëzuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kanë pasur gabime teknike tek xhirollogaritë e studentëve.”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se MASh ka punuar në rregullimin e këtyre xhirollogarive dhe pritet që së shpejti të dorëzohen për alokimin e mjeteve. Mistria gjithashtu ka bërë të ditur se shuma e bursës së përfituar pritet që brenda pak ditësh të ekzekutohet dhe asnjë student nuk do të mbetet pa përfitimin e mjeteve.

“MASh gjithashtu ka filluar me procedurat për hapjen e konkursit të bursave për vitin akademik 2020/2021”, thuhet në njoftim.

Muajin e kaluar Mistria e Arsimit kishte publikuar listën e 1,516 studentëve të cilët kanë përfituar bursat elitare.

Shuma e kësaj burse për një student është 700 euro.

Mbi 1500 studentë përfituan nga bursat e MASh-it, publikohet lista