Ministria e Arsimit shpall thirrje për bursat STEM, do të përfitojnë 2 mijë studentë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shpallur thirrje publike për mbështetje financiare të studentëve në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (apo STEM) të arsimit të lartë në Kosovë.

Sipas njoftimit të MASHTI, thirrja synon të mbështesë shkollimin e studentëve që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë në programet STEM në vlerë prej 1 mijë euro.

Shuma totale e ndarë për këto bursa është 2 milionë euro, kurse përfitues do të jenë 2 mijë studentë.

Sipas Ministrisë, këtë vit është dyfishuar buxheti për këto bursa nga 1 milion euro në 2 milionë, e po ashtu, numri i studentëve që do të përfitojnë nga 1 mijë sa ishin vitin e kaluar në 2 mijë studentë këtë vit.

Tutje, MASHTI potencon se kjo formë e mbështetjes financiare ka për qëllim të promovojë pjesëmarrjen e vajzave/grave në fushat STEM.

Në këtë thirrje inkurajohen të aplikojnë studentet nga komunitetet joshumicë, ata me aftësi të kufizuar dhe ata që vijnë nga vendet rurale.

Thirrja është e hapur për të gjitha vajzat/gratë dhe për djem/burra të vitit të dytë dhe të tretë në bazë të kritereve të përcaktuara: https://masht.rks-gov.net/cat…/konkurse/konkurse-konkurse/

Sipas Ministrisë, të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët që regjistrohen në një nga programet e fushave STEM në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë, sipas aneks-listës së programeve të publikuara me këtë thirrje.

Derisa, përparësi kanë kandidatët që kanë përfunduar me sukses vitin paraprak dhe kanë regjistruar për herë të parë vitin akademik 2022-2023.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 7 dhjetor 2022, në ora 16:00.

Procesi i aplikimit do të realizohet online përmes platformës E-Kosova.

https://ekosova.rks-gov.net/435