Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ministria e Arsimit hap konkurs për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e klasës së dhjetë të shkollave profesionale
Nxënësit e regjistruar në klasën e dhjetë në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional për vitin shkollor 2024-2025, mund të aplikojnë në konkursin për ndarjen e 100 bursave nga Ministria e Arsimit.
Kështu ka njoftuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas ministres Nagavci konkursi për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e shkollave profesionale është hapur me qëllim të mbështetjes së nxënësve në profile të rëndësishme për tregun e punës.
Nagavci ka bërë të ditur se si do t’i shpërndajnë 100 bursat për drejtimet profesionale të nxënësve derisa vlera e bursës është 50 euro në muaj.
“Me këtë rast, do të ndajmë 60 bursa për drejtimet deficitare dhe 40 për drejtimet teknike për vajza. Vlera e bursës është 50 euro në muaj, përkatësisht 500 euro për një vit shkollor. Nxënësit përfitojnë bursë për tri vite të shkollimit nëse vijojnë me sukses mësimet në IAAP” – ka njoftuar Nagavci në Facebook, më 03.09.2024.
Nxënësit e këtyre drejtimeve deficitare mund të aplikojnë për bursën e ndarë nga Ministria e Arsimit: zhvillues i aplikacioneve softuerike, instalues elektrik, agrobiznes, automekanik, asistent i turizmit dhe udhëtimeve, përpunim druri/zdrukthëtar dhe hortikulturë.
Po ashtu edhe nxënësit e këtyre drejtimeve teknike mund të aplikojnë për bursën: metalpunues, instalues elektrik, instalues i ngrohjes, ujësjellësit dhe klimatizimit, automekanik, teknologjia e riciklimit dhe teknik i sistemeve të TIK-ut.
Sa i përket kriteteve të konkursit, nga nxënësit kërkohet që të jenë shtetas të Kosovës, të kenë 60% të suksesit të shkollimit paraprak për klasat 6-9 dhe të kenë 40% të rezultatit nga testi i arritshmërisë.
Konkursi për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e klasës së dhjetë të shkollave profesionale për vitin shkollor 2024/2025 është i hapur nga data 02.09.2024 deri më 02.10.2024 dhe të gjitha detajet e konkursit mund t’i gjeni në këtë LINK.