MASHT

Ministria e Arsimit flet për anëtarin e ri të KShC-së, thonë se nuk e dinë përkatësinë e tij politike

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka komentuar vendimin e Ministrit të Arsimit, Ramë Likaj për ta emëruar Binak Beqajn si anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

KALLXO.com sot raportoi për vendimin e ministrit për emërimin e Beqajt, i cili ka pranuar që është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo të cilës i takon vet ministri.

Ministri Likaj paradite nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com personalisht por ka ridrejtuar këto pyetje tek zyra për informim.

Më vonë, zyra për media, përkatësisht këshilltarja  për media e ministrit, Diellza Kukaj, ka thënë se emërimi i Binakajt është bërë në përputhje me ligjin.

“Procedura e emërimit Këshillit Shtetëror të Cilësisë është realizuar në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore në fuqi. Nga ana jonë vendimi i është dërguar AKA-së për publikim, dhe shumë shpejtë vendimi do të jetë publik”, thuhet në përgjigje.

Kukaj megjithatë ka thënë se ministria nuk ka informacion se Beqaj është i angazhuar në ndonjë parti politike.

“Ne nuk kemi informacion se Profesor Binak Beqaj është në strukturat e ndojnë partie politke dhe si rrjedhojë emërimi i tij si anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk ka asnjë lloj interferimi politik. Prof. Dr. Binak Beqajt ka një sfond shumë të pasur akademik dhe profesional, për të cilin mund të i referoheni edhe CV-së tij, dokument ky i cili është publik dhe i qasshëm për publikun”, thuhet tutje në përgjigje.

Ministria gjithashtu ka theksuar arritjet e profesorit Binakaj që momentalisht ligjëron në kolegjin UBT.

Sipas ministrisë, Beqaj ka përfunduar Studime të Doktoratës në Universitetin e Vjenës për Teknologji (TUV)- Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, për fushën e studimit Menaxhimi dhe planifikimi i  integruar urban.

Ata kanë përmendur edhe disa nga angazhimet tjera të Beqajt që sipas ministrisë e bëjnë person adekuat për  këtë pozitë.

“Meqenëse në pozicionin e tij është kërkuar një individ i profilit të tillë, është parë si kandidati më i përshtatshëm për pozitën e kërkuar”, thuhet në përgjigje.

Sot, vet Binak Beqaj tha se është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës por theksoi se nuk ushtron asnjë funksion brenda partisë.

Kujtojmë që Agjencia e Akreditimit si agjenci e pavarur duhet të jetë e paanshme politikisht. Vitin e kaluar, njëri nga anëtarët e Këshillit ishte dorëhequr pasi është konstatuar se nuk i lejohej angazhimi politik.

Profesori anëtar i AAK-së emërohet në Këshill Shtetëror të Cilësisë