Shkolla Fillore E Mesme e Ulët "Ismail Qemali". Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Arsimit bën thirrje shkollave për kujdes në masat mbrojtëse ndaj pandemisë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), i ka bërë thirrje menaxhmentit të shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe kujdestarëve ligjor për kujdes të shtuar në shkolla, oborre dhe afërsi të tyre.

Kjo thirrje e Ministrisë vjen si qëllim që të jepet kontribut për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.

Ministria po ashtu ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) që të kujdesen për dezinfektimin e vazhdueshëm dhe mirëmbajtjen e shkollave sipas rekomandimeve të IKShPK-së, MSh-së dhe Udhëzuesit për organizmin e mësimit në kushte pandemie.

Ministria ka paralajmëruar se bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nëse situata e pandemisë përkeqësohet, mund të marrin vendim për mbylljen e shkollave.

Gjithashtu Ministria e Arsimit ka kërkuar nga task forcat e shkollave dhe të DKA-ve që përveçse të kujdesen për zbatimin e të gjitha masave, të vlerësojnë edhe situatën, dhe ato shkolla që kanë vështirësi në organizim dhe respektimin e masave në kushte pandemie, të kalojnë në mësimin online.

Ditë më parë edhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, kishte kërkuar nga prindërit dhe personeli arsimor që të tregohen të përgjegjshëm dhe të përpiktë në respektimin e masave ndaj COVID-19, duke shprehur shqetësimin për grumbullimin e prindërve dhe arsimtarëve para dyerve të shkollave.

Numri i rasteve me coronavirus është në rënie javëve të fundit.

Në ditën e 190 të pandemisë që kur janë shfaqur rastet e para në Kosovë aktualisht janë 1,937 raste aktive me COVID-19.

Shkollat janë hapur më 14 shtator.

126 persona të shëruar nga COVID-19