Ministria e Arsimit: 50 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar tashmë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një konference për media bëri të ditur se po bëhen përgatitjet e duhura që viti akademik 2021/2022 të fillojë me prezencë fizike duke u siguruar që të ruhet shëndeti publik dhe të respektohen rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë.

“Po synojmë që t’i kemi të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të punësuar në institucionet edukativo-arsimore të vaksinuar”, ka thënë Nagavci.

Me këtë rast, ministrja u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit: mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollave, personelit tekniko-shërbyes dhe atyre në arsimin e lartë që të vaksinohen në mënyrë që të jenë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ajo u bëri gjithashtu thirrje studentëve universitarë, veçanërisht atyre që nga muaji tetor mendojnë t’i shfrytëzojnë konviktet që të vaksinohen para fillimit të vitit akademik.

“Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në arsimin parauniversitar janë rreth 50% të personelit të vaksinuar tashmë”. Kjo përqindje përbëhet nga 29 mijë e 878 të vaksinuar të deklaruar si profesorë, mësimdhënës, drejtorë, profesorë dhe personel tjetër”.

Nagavci gjithashtu bëri publike shifrat e të vaksinuarve sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Prej të vaksinuarve në arsim janë:

3458 arsimtarë

193 drejtorë

108 edukues fizikë

7880 mësimdhënës

3926 profesorë

1704 referentë dhe punëtorë të arsimit

319 nxënës

12,395 studentë.