Rame Likaj, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLX.com

Ministri i Arsimit tregon nëse do të hapen konviktet sivjet

Afër gjashtë muaj pasi studentët kanë braktisur banesat e tyre në konviktet e Qendrës së Studentëve, ende nuk ka ndonjë vendim nëse kjo qendër do të hapet sërish në tetor.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka thënë për KALLXO.com se sipas rekomandimeve të Bordit Këshillëdhënës për menaxhimin e pandemisë me COVID-19, konviktet nuk do të hapen.

“Momentalisht bordi këshillëdhënës ka thënë mos me i hap, unë e kam bërë një kërkesë te Bordi Këshillëdhënës që është në Ministri të Shëndetësisë se çka me bë me konviktet dhe bibliotekat. Momentalisht rekomandimi është mos me hapë”, ka thënë Likaj.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve arsimore për mbrojtjen nga COVID-19, me 12 mars janë mbyllur edhe konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë.

Me 18 mars ishte vendosur që objektet  QS-së të shndërroheshin në karantinë për personat e kthyer të cilët ishin jashtë kufirit të Kosovës.

Karantina në konvikte ishte mbyllur me vendim të Qeverisë së Kosovës me 27 maj dhe pas kësaj date kishte filluar dezinfektimi i objekteve.

KALLXO.com kishte vizituar konviktet pas dezinfektimit dhe kishte filmuar dëmet të cilat i kanë shkaktuar të karantinuar në këtë qendër.

Gjithashtu është raportuar për gjërat e studentëve që ishin larguar në mënyrë të shpejtë nga qendra në kohën kur u shndërrua në karantinë. Me tu kthyer për t’i marrë këto gjëra ata raportuan humbje dhe dëmtime të gjërave personale.