Migrimi që po zbraz shkollat e Drenicës 

Fshatra të tëra në komunën e Skenderajt kanë pësuar rënie të theksuar të nxënësve, derisa një numër shkollash rrezikojnë të mbyllen pas disa vitesh, si pasojë e migrimit të brendshëm e atij të jashtëm.

Vetëm 11 lule i ishin dhuruar Xhevdet Behramit në ditën e mësuesit me shtatë mars. Aq sa ka lule në duar, aq edhe ka nxënës kujdestari i klasës së katërt në shkollën fillore “Kuvendi i Drenicës” në fshatin Abri e Poshtme në Komunën e Skenderajt.

Gjersa falendëron dhe përqafon nxenësit një nga një, 50 vjeçari spjegon se si vitin tjetër do të ngelet vetëm me tetë lule, pasi tre nxënës, familjet e të cilëve vitin tjetër do të shpërngulen nga fshati, klasën e pestë do ta vazhdojnë diku tjetër. 

Lulet që iu dhanë mësuesit Xhevdet Behrami në Ditën e Mësuesit

Mësuesi ciklit klasor, i cili punën në arsim e filloj nga viti 1991 i arsyeton plotësisht largimet e banorëve nga fshati, pasi sipas tij pamundësia për punësim është arsyeja pse largimet janë shpeshtuar nga fshati i cili aktualisht ka rreth 185 shtëpi, mirëpo në regjistrimin menjëhershëm të pas luftës, Abria e Poshtme numëronte mbi 400 sosh. 

 

Përveç nxënësve të këtij fshati, në shkollën “Kuvendi i Drenicës” nga klasa e pestë e tutje, vijojnë mësimin edhe nxënësit e fshatit Murgë i cili gjendet tri kilometra nga Abria e Poshtme. 

 

Për shkollën që ka më shumë shtëpi se nxënës, i shqetësuar shprehet edhe ish-drejtori Vesel Islami, tashmë arsimtar i Gjuhës Shqipe, i cili vitin e ri shkollor në këtë shkollë e kishte nisur me 180 nxënës, por tashmë shkolla numëron vetëm 175 nxënës, pasi pesë prej tyre janë larguar, kryesisht të vendosur brenda qyteteve të ndryshme të Kosovës. 

 

“Migrimi i brendshëm e ka zvogëluar më së shumti numrin e nxënësve, fshati ynë është bukur larg nga qendra e Skenderajt, prandaj po i detyron banorët që të zhvendosën në qytete,” thotë Islami per KALLXO.com. 

 

Arsimtari i cili edhe vetë është shpërngulur nga fshati për tu vendosur në qytetin e Drenasit, punën në këtë shkollë e kishte filluar në vitin 2009, atëbotë kjo shkollë numëronte 364 nxënës dhe operohej me nga dy ndërrime dhe dy paralele, mirëpo nga viti shkollor 2011/12 në këtë shkollë ka vetëm nje ndërrim me nga një paralele, ku më e vogla është klasa e cikëlit parashkollor, e cila ka vetëm tetë nxënës. 

Shkëndije Idrizi, zyrtare për Arsim fillor dhe parashkollorë në Drejtorinë e Arsimit në Skenderaj tregon se në dy-tri vitet e fundit, paralele të tëra janë shuar në fshatra të ndryshme. 

Mirëpo sipas kësaj drejtorie, nëse vazhdohet me këtë ritëm, edhe shumë shkolla tjera, përveç shuarjes së paraleleve rrezikojnë edhe të mbyllen krejtësisht. Sipas statistikave të kësaj drejtorie, numri i nxënënsve të shkollave fillore mesatarisht për çdo vit zvogëlohet nga 450 deri në 500 nxënës. E ky duket të jetë një numër i madh, duke marrë parasysh se në Komunën e Skenderajt jetojnë afërsisht 50 mijë banorë.

Kurse numri i përgjithshëm i nxënësve në nivelin fillor – mesëm të ulët aktualisht është 6,760, ndërsa në dhjetë vitet e fundit Skenderaj ka 3,279 nxënës filloristë më pak.

Migrimi godet edhe punëtorët e arsimit

Zvogëlimi i vit pas viti i numrit të nxënësve e shqetëson shumë mësimdhënësin e Gjuhës Shqipe Vesel Islamin. Sipas tij, migrimi i brendshëm, por edhe ai në botën perëndimore rrezikon që shumë mësimdhënës t’i lë pa punë në një të ardhme jo të largët.

“Unë jam 35 vjeç, dhe nëse shkolla mbyllet në vitet e ardhshme, e vie puna që me u bartë numri i nxënësve vetëm në bashkësi lokale, atëherë çka ndodhë me fatin tonë?”, pyet Islami.

“Nëse bartemi në bashkësi lokale, atëherë më vend për dy mësues të gjuhës shqipe nuk ka, duhet me gjetë ndoshta edhe unë zgjidhjen në perëndim.”

Vesel Islami, mësues i Gjuhës Shqipe në shkollën fillore “Kuvendi i Drenicës”, në Abrinë e Ulët.

Për fatin e mësimdhënësve nuk garanton as Drejtoria e Arsimit në Skenderaj. Në një përgjigje për Kallxo.com, kjo drejtori tha se është duke u përgatitur për sistemimin e nxënësve në shkolla më të përshtatshme dhe që kanë kushte më adekuate për mësim duke u siguruar dhe u mbuluar nxënësve transportin. “Me ikjen e nxënësve detyrimisht zvogëlohet edhe numri i mësimdhënësve” thuhet tutje në përgjigjen e drejtorisë komunale. 

KALLXO.com ka pyetur edhe Ministrinë e Arsimit në lidhje me këtë çështje, mirëpo kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje. 

Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Hykmete Bajrami ka paralajmëruar se shumë shpejt do të fillojë riorganizmi i rrjetit te shkollave, mirëpo të pyetur se ky riorganizim a do ta ulte numrin e mësimdhënësve, kjo ministri nuk dha përgjigje për KALLXO.com.

I shqetësuar për fatin e stafit të tij është edhe Sylejman Haxha, drejtor i shkollës fillore “Ismet Rrahmani” në fshatin Aqarevë të Komunës së Skenderajt. Sipas tij, për mësuesit që janë afër pensionit kjo situatë nuk paraqet shqetësim, mirëpo për moshat e reja te mësimdhënësve ai thotë se kjo problematikë diskutohet pothuajse çdo ditë. 

“Më shumë kemi rrezik që të mbyllen shkolla në 5 vitet e ardhshme se sa mos të mbyllet”, thotë Haxha. 

Fshati ku ishin celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kovovës para luftës kishte rreth dy mijë banorë, mirëpo tash ky është ndër fshatrat me të braktisura te Skenderajt, dhe momentalisht janë vetëm afër 60 shtëpi të banuara teksa shkolla ka 130 nxënës, katër më pak sa kishte në shtator të vitit të kaluar kur kishte nisur viti i ri shkollor.

“Ka lagje që nuk ka asnjë nxënës të vetëm” tregon Haxha. 

Arsimtari i lëndës së Historisë Fehmi Qorri, i cili ligjëron në shkollën “Ismet Uka” në fshatin Ticë, tetë kilometra nga Aqareva ka të njejtën brengë.

Kujdestari i klasës së tetë i cila ka vetëm tetë nxënës thotë që migrimi i brendshëm por edhe ai i jashtëm është temë që diskutohet edhe mes nxënësve.

Shkolla fillore “Ismet Uka”, në fshatin Ticë

“Nuk ka shumë vëmendje për mësim as prej këtyre pak nxënësve që na kanë mbetur, në klasë të katërt fëmijët edhe shpesh i dëgjoj duke diskutuar se edhe sa muaj ju ka mbetë me marr vizën prindërve të tyre”, thotë Qorri ai për KALLXO.com. 

Fehmi Qorri, mësues i historisë në Ticë

Sipas tij ky shpërqëndrim ndodhë pasi fëmijët këto biseda fillimisht i dëgjojnë në shtëpi. “Dëgjimi i këtyre storieve në shtëpi, fëmijëve po u shkakton një traumë, dhe duke e parë këtë fenomen atyre u krijohet një përceptim se as për këta që janë këtu nuk ka përspektivë, pastaj vazhdimisht mendohet e synohet arratisja”, shpjegon arsimtari i Historisë.

Si të shpërqëndruara për mësim, Qorri thotë se më së shumti kanë qenë këto pesë vitet e fundit, periudhë kjo kur disa shtete europiane, veçanërisht Gjermania ka filluar të hap shtigje për emigrant. Vetëm gjatë vitit 2019, mbi 13,000 viza pune janë lëshuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Në shkollën e cila është ndërtuar në vitin 2014, e cila buxhetit të qeverisë së atëhershme i kishte kushtuar rreth 700 mijë euro, përveç Ticës aty ndjekin mësimin edhe nxënësit e fshatit Plluzhinë, mirëpo sipas Qorrit, kjo shkollë rrezikon qe në shtatë ose tetë vitet e ardhshme të mbyllet dhe shton se Fushë Kosova është destinacioni më i madh i banorëve të këtij fshati. 

“Me u braktisë kaq shumë fshati nuk ka ndodh as në vitin 1998 dhe 1999 kur shkolla fshatit ka shërbyer si strehimore për civilët e luftës”, përfundon arsimtari i Historisë.

Shkakun kryesor për këtë gjendje, këta mësimdhënës e shohin tek mungesa e perspektivës dhe punësimit në këtë rajon. Sipas tyre, banorët që kanë mbetur në këta fshatra dhe jo vetëm, pjesa më e madhe e tyre e mendojnë çdo ditë largimin, qoftë jashtë Kosovës por edhe brenda saj. 

Komuna e Skenderajt nuk ka një shifër të saktë se sa banorë janë shpërngulur nga fshatrat e Skenderajt në drejtim të qyteteve tjera, mirëpo zyra për informim në Komunën e Skenderajt tha për Kallxo.com se koncentrimi me i madh i këtyre banorëve është në qytetin e Fushë Kosovës. Të njejtin mendim e kanë edhe mësimdhënësit dhe drejtorët e këtyre shkollave.

Zhvendosja në Fushë Kosovë stërngarkon shkollat e këtij qyteti

Për shkak të afërsisë me kryeqendrën dhe mundësisë për punësim, Fushë Kosova mbetet ndër qytetet më të preferuara ku qytetarë të viseve të ndryshme nga Kosova vendosen për banim. 

Edhe pse Komuna e Fushë Kosovës nuk ka shifër konkrete për banorët e ardhur nga komuna e Skenderajt në qytetin e tyre, zëdhënësi i komunës Ali Topalli, thotë se nga kjo komunë ka më së shumti që vendosen për të jetuar në Fushë Kosovë. 

Ismet Gashi, është Drejtor i Shkollës “Mihal Grameno” shkolla më e madhe fillore në Fushë Kosovë

Sipas tij, migrimi në këtë qytet po paraqet një problem të madh, sidomos në planifikimin dhe sistemimin e nxënësve. 

Në bazë të statistikave të Komunës, aktualisht në shkollat fillore në Fushë Kosovës vijojnë mësimin 7,510 nxënës, por, sipas regjistrimit të Agjensisë së Statistikave të Kosovës, i cili është bërë në vitin 2018/19 atë kohë në Fushë Kosovë kanë qenë 6.668 nxënës, apo 842 nxënës më pak se këtë vit. 

Shkolla fillore më e madhe në këtë komunë është shkolla “Mihal Grameno” e cila ka 3,256 nxënës dhe operon me dy objekte kurse për objektin e tretë komuna njoftoi se ka filluar procedurat për ndërtim. 

Sipas Ismet Gashit, drejtor në këtë shkollë, ardhja nga viset tjera e sidomos nga rajoni i Drenicës e kanë stërngarkuar këtë shkollë, teksa ka klasë edhe me 49 nxënës.

“Brenda javës na vijnë 7-8 nxënës të rinj dhe është shumë e vështirë të menaxhohet kjo situatë” thotë Gashi, i cili përveç numrit në sasi, thekson se ky popullim krijon edhe dallime të dukshëm në cilësi. “Kemi diversitet për shkak të ardhjeve nga zonat më të thella ku nuk ka pasur konkurencë të mjaftueshme, dhe performanca e tyre këtu është më e dobët.”

Si pasojë e ardhjeve nga vendet tjera, në Fushë Kosovë, këtë vit janë shtuar shtatë klasë të para, një e tillë në shkollën “Mihal Grameno”  e cila operon me 14 paralele të klasës së parë dhe gjithësej 79 deri të nëntën e ku janë të angazhuar 120 mësimdhënës, 108 më shumë se në shkollën e fshatit Aqarevë.

Për drejtorin e kësaj shkolle, me këtë trend të rritjes nga viti i ardhshëm nuk do të jetë i mjaftueshëm sistemi dy ndrrimesh, sipas tij kjo do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në cilësinë e mësimit. 

“Sistemi tre ndrrimësh do të jetë vetëm ardhje dhe shkuarje për nxënësit, sepse dije shumë pak do të zotërojnë këta fëmijë. E them këtë sepse para tri viteve e kemi pasur këtë gjendje”, thotë Gashi për KALLXO.com.

Ndër të tjerash ai shton nevojën imediate për shtimin e mësimdhënësve që ka nevojë kjo shkollë. Por, meqenëse kjo nuk po ndodhë, shtimin e objekteve, Qorri e sheh si zgjidhje më të shpejtë, ndonëse nuk garanton cilësi në mësimnxënje.

Përderisa drejtori i “Mihal Gramenos” kërkon shtimin e kapaciteteve humane e objekteve shkollore, mësuesit në Abri të Poshtme, Aqarevë, Ticë dhe shumë fshatrave tjera në Skenderaj mbesin me frikë për fatin e vendit të punës dhe shkollave të tyre nëse trendi i depopullimit vazhdon.