Mësimi online nuk i arrin komunitetet

Megjithë premtimet për gjithëpërfshirje të procesit të mësimit nga distanca në Kosovë, fëmijët e komuniteteve pakicë, ashkali, romë dhe egjiptianë ende janë larg të qenurit në pozitën e njëjtë me nxënësit e tjerë kosovarë.

Në mars të këtij viti, ku në Kosovë u shfaqën rastet e para me COVID-19, u vendos për mbylljen e shkollave dhe për fillimin e mësimit nga distanca, me orë mësimore që po transmetohen në televizionin publik dhe online.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami ishte treguar e sigurt se mësimi nga distanca do të ofrohet për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Meqë për të ndjekur këtë lloj mësimi duhet të paktën një televizor ose pajisje tjetër teknologjike për qasje në internet, KALLXO.com pa nga afër situatën e fëmijëve të disa komuniteteve të margjinalizuara në vend për të vërtetuar nëse fëmijët kanë mundësi praktike për të ndjekur këtë mësim.

Fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë të fshatit Prelluzhë në komunën e Vushtrrisë, ora 09:00 nuk i gjen duke mësuar para televizionit. Mëngjesin e së hënës pa maska, pa dorëza, së bashku me banorë të tjerë kishin dalur afër deponive të mbeturinave që të fitojnë bukën e gojës.

Me këtë problem nuk po ndeshen vetëm qytetarët e këtij fshati por shumica e familjeve të komuniteteve jo-shumicë që nuk kanë paisje elektronike për të ndjekur  këshillat për parandalimin e përhapjes së virusit. E përpos këtyre mungesa e mjeteve elementare për mbrojtjen nga virusi i ka bërë ata që të ndjehen edhe më të rrezikuar dhe të pasigurt në vendbanimet ku jetojnë.

Lindrit Qeli, shef i Zyrës  Komunale për Komunitete dhe Kthim  në Komunën e Rahovecit, tha për KALLXO.com se këto komunitete janë margjinalizuar me vite, e njëjtë po trajtohen edhe gjatë pandemisë. Sipas tij ata nuk janë trajtuar barabartë as në punësim, shëndetësi dhe arsim e as tash nuk po trajtohen barabartë në ngritjen e vetëdijes për parandalimin e kësaj sëmundjeje, informimin në gjuhën amtare, pasijen me dorëza, maska dhe dezinfektues.

“Në këtë drejtim shoqëria e qeveria nuk ka treguar mjaftueshëm mbështetje , dhe këto komunitete i ka disfavorizuar me mundësinë e ngritjes së vetëdijes nga kushtet e rënda nën

nivel social për të respektuar masat me elementare si : larja e duarve me sapun apo dezinfektant (shtrohet pyetja me cilin sapun e dezinfektant me 90 euro ndihmë sociale me mbi 10

antarë të famijes ) , maskë apo doreza ( me cilat doreza e maska përballë deponive)” thotë Qeli.

Ndër të tjerash shtoi se me përhapjen e pandemisë, komunitetet në fjalë janë shqetësuar dhe kanë ngritur panikë duke mos ditur se çka do ndodh me ta me ndaljen e punës joformale ditore dhe shëndetin e tyre për shkak vendbanimeve afër deponive.

Sikurse Qeli dhe Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare Advancing Together tha se me vendosjen e masave parandaluese qytetarët kanë ngritur panikë për të ardhmen e tyre sociale. Ai kërkoi që të ofrohet ndihmë për qasje në shërbime shëndetësore nga Ekipet Komunale të Emergjencës (EKE) dhe sigurimin e barërave për kategoritë sociale që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe intervenimin e MASHT-it për krijimin e një programi që iu mundëson fëmijëve dhe të rinjëve që të vijojnë mësimin online.

“Ka pasë raste kur në disa komuna janë kërkuar shërbime shëndetësore (Gjakovë dhe Istog) për të moshuar dhe ajo nuk ka ndodhë” shtoi ai.

Ndërsa sa u përket ndihmave ushqimore dhe higjienike për tri komunitetet, duke iu referuar raportit zyrtar të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete(MKK) me projektin “Le të fitojë jeta” janë ofruar 10.9 tonelata ushqim dhe 7,562 pako higjenike ku nga 303 familje të cenueshme vetëm 17 familje nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane kanë qenë përfituese të pakove të kësaj ministrie. Ndërsa MKK në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka ndihmuar gjithësej 97 familje të këtyre komuniteteve.  Nga këto familje kanë përfituar 36 familje me 182 antarë, 5 familje të komunitetit ashkali me 32 anëtarë  dhe 16 familje egjiptiane me gjithësej 94 anëtarë. Ndihma të cilat sipas Ibishit nuk i përmbushin nevojat e qytetarëve. Përfituesi më i madhi i këtyre ndihmave është komuniteti serbë  me 292 familje dhe 928 anëtarë gjithësej. Në këtë raport zyrtar nuk ka të të cekura ndihma me mjetet elementare dorëza, dezinfektant dhe maskë.

Duke iu referuar  monitorimit të organizatës joqeveritare AT, nga 16 marsi deri më datën 10 maj janë ndihmuar 8,063 familje prej të cilave 6,579 nga sektori jo-qeveritar, 1,370 nga Ekipet Komunale të Emergjencës, 17 nga MKK dhe 97 nga MKK dhe IOM. Ndërsa në përgjigjet e MKK thuhet se në fazën e pestë të kësaj minstrie në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë 415 familje të tri komuniteteve u ndihmuan me pako ushqimore dhe higjienike.

Bashkim Ibishi në mesin e këtyre problemeve shprehu pakëënaqësinë për keqpërdorimin dhe politizimin e ndihmave. Ai tha se pakot higjienike dhe ushqimore nga ndihmat e diasporës, së komuniteteve dhe fondacioneve bamirëse të shpërndara nga EKE-të janë shpëndarë në mënyrë të politizuar dhe në mënyrë të pabarabartë në qytetet Fushë Kosovë, Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj.

“Në disa komuna të Kosovës vërehet pabarazi dhe politizim i skejshëm gjatë shpërndarjes së pakove ushqimore dhe higjienike nga ana e EKE-ve të cilat kanë bërë shpërndarje përmes partive politike të këtyre komuniteteve. Ekziston një dyshim i bazuar se këta të fundit kanë shpërndarë këto ndihma (të EKE-ve, të diasporës së komuniteteve, të fondacioneve bamirëse) pa prioritet të cenueshmërisë sociale por gjatë shpërndarjes iu kanë dhënë prioritet simpatizantëve të tyre politik! Për këtë arsye është vërejtë një pabarazi dhe politizim i skejshëm gjatë shpërndarjes në këto komuna” shpjegon Bashkim Ibishi.

Lindrit Qeli njëherazi edhe drejtor i mediumit egjiptian Prosperiteti Channel (Gjakovë) tha se  Ministria për Komunitete dhe Kthim ka dështuar në ndihmën e komuniteteve në disa qytete dhe se ato që janë ndarë kanë qenë të favorizuara dhe se iu kanë adresuar me kërkesë zyrtare për ndihma por nuk kanë marrur përgjigjje.

“ Ministria e cila si ministri e posaqme për komunitete nuk ka mbështetë disa komuna , por edhe ato që janë mbështetur kanë qenë komuna ku ndihmat janë bërë në nivel më të segreguar për disa komunitete të favorizuara komuna e Gjakovës  dhe Rahovecit” tha Qeli.

Duke u bazuar në raportin e MKK-së vetëm nëntë pako janë shpërndarë në komunën e Rahovecit ndërsa Gjakovë asnjë.

Në muajin mars në emisionin “Jeta në Kosovë” në të cilin u diskutua për temën “Të varfër të përballë virusit”, qytetarët e këtyre komuniteteve thanë se ata nuk janë në gjendje që të ngopin barkun me bukë e le më të blejnë maska.

“Na nuk e kemi jetën për dorëza e maska, ne jemi komuniteti i cili gjithëmonë ka jetuar në mbeturinat e Prishtinës” kishte thënë Fazli Arifi , banorë i lagjes “29” në Fushë Kosovë.

Adem Arifi banorë i po të njëjtës lagje tha se nëse një person në këtë lokalitet infektohet atëherë të gjithë do të ia shohin sherrin, për shkak se të gjithë jetojnë në bashkësi.

Edhe afër pas dy muajve ekzistojnë të njëjtat probleme dhe faktorë për përhapjen masive të coronavirusit në këto komunitete.

Sipas Lindrit Qelit frika më madhe ekziston edhe tash, jo vetëm për shkak të kushteve të rënda sociale, strehimit dhe higjienës së dobët por edhe mungesës së vaksinimit të fëmijëve kundër sëmundjeve tjera ngjitëse (fruthi) dhe mungesës  së vetëdijes për takime fizike në mes një numri të madh personash.