Mësimi nga distanca – KPM ka një kërkesë për Operatorët Kabllorë (DOKUMENT)

Komisioni i Pavarur i Media u është drejtuar me një kërkesë operatorëve të shpërndarjes së kanaleve (operatorëve kabllorë), që gjatë kohës së pandemisë COVID-19, të mos jua ndalon transmetimin e kanaleve të Televizionit Publik RTK1, RTK2 dhe RTK4, pasi që e vetmja mënyrë që nxënësit të ndjekin mësimin nga distanca është ajo e ekranit televiziv.

“Po ju shkruajmë në lidhje me bartjen e kanaleve të Transmetimit Publik – Radio dhe Televizioni i Kosovës – me theks të veçantë për RTK1, RTK2 dhe RTK4 në platformat tuaja të shpërndarjes, me që aktualisht, nxënësit tanë janë duke zhvilluar mësimin nga distanca, përmes ekranit televiziv, duke ua mundësuar nxënësve mësimin sipas plan-programit shkollor. Kjo, për shkak të mbylljes së shkollave, si rezultat i pandemisë COVID-19”, thuhet në shkresën e KPM-së.

“KPM, duke u bazuar në faktin se Operatorët e Shpërndarjes sipas Rregulloreve KPM-2016/01 kanë për obligim bartjen e kanalit RTK1 dhe RTK2 sipas rregullit “Bartje e Obligueshme”, me mirëkuptimi kërkon nga ju që , gjatë kësaj kohe sa është duke u zhvilluar mësimi nga distanca, të siguroheni që t`i keni në katalogun tuaj kanalet RTK1 dhe RTK2, përmes të cilëve do t`i mundësoni nxënësve qasjen për të ndjekur mësimin përmes ekranit gjatë kësaj kohe”, thuhet tutje në shkresën e KPM-së, drejtuar operatorëve të shpërndarjes.

“Pavarësisht nëse klientëve tuaj iu skadon afati i pagesës për abonim, ju lutem të siguroheni që kanalet RTK1, RTK2 dhe RTK4 të mos i ndërpritni nga shërbimi, deri sa të kalojë kjo situatë emergjente. Në këtë mënyrë, ju do të kontribuoni në zhvillimin e nxënësve kosovar për të mos humbur mësimin gjatë kësaj pandemie, për të cilën shpresojmë të përfundojë sa më shpejt”, përfundon shkresa e KPM-së.

Kërkesa e KPM-së drejtuar Operatorëve të Shpërndarjes – Shqip

Kërkesa e KPM-së drejtuar Operatorëve të Shpërndarjes – Serbisht

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e mbështetur nga KALLXO.com ka organizuar përgatitjen dhe transmetimin e mësimit nga Distanga duke filluar nga klasat e para deri te klasat e nënta – LINK