Mësimi fillon me prezencë fizike në të gjitha shkollat e Prishtinës

Në të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës, procesi mësimor i gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2021/22 ka nisur me prezencë fizike.

Kështu bëjnë të ditur për KALLXO.com nga zyra për informim e  Komunës së Prishtinës.

“Mësimi ka filluar në të gjitha institucionet edukative arsimore dhe aftësuese – IEAA-se në Komunën e Prishtinës”, u tha nga Komuna.

Zëdhënësja e komunës, Arlinda Kastrati potencoi se nuk ka shkolla me skenar tjetër, përpos atij me prezencë fizike, kjo duke u bazuar në numrin e pranishëm të nxënësve dhe numrit të të infektuarve.

“Nuk ka ndonjë rast të ndonjë institucioni shkollor që ka filluar me skenar tjetër. Kjo është bazuar në numrin e pranishëm të nxënësve. Numri i personelit/nxënësve të infektuar,  për momentin nuk përbën shkak për të kaluar në skenar tjetër”, tha Kastrati.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se prej sot ka filluar periudha e dytë e vitit shkollor 2021/22 në të gjitha nivelet e arsimit para universitar.

Sipas tyre, Task Forcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.