default

Mësimi ende nuk filloi në disa shkolla të Kamenicës edhe pas pezullimit të vendimit të reformës

Pas pezullimit të vendimit të tretë për riorganizimin e shkollave në Kamenicë nga Gjykata Themelore në Prishtinë,  në shkollat e prekura nga vendimi ende nuk është duke u mbajtur mësimi.

Zyrtarja për informim në Komunën  e Kamenicës, Albulenë Bakiu ka thënë që janë duke i përgatitur objektet në mënyrë që mësimi të fillojë normalisht.

Në një përgjigje për KALLXO.com ajo ka theksuar se ndaj vendimit të Gjykatës komuna ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Mësimi momentalisht në këto shkolla të përfshira në fazën e tretë nuk ka filluar ende për shkak se në këto objekte shkollore duhet të bëhet dezinfektimi dhe pajisja me mjete mbrojtëse. Po ashtu duhet të bëhet një risistemim i stafit ekzistues për shkak se kemi mësimdhënës mungesë për shkak të ndarjes së klasave si rekomandim i Ministrisë dhe Institutit, mësimdhënës të liruar për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore, si dhe të risistemuar në Kontratën Kolektive për arsye të tjera”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Tutje Bakiu ka theksuar se edhe për shkak të motit të ftohtë duhet të bëhen përgatitje edhe për të siguruar ngrohjen për nxënësit e këtyre shkollave.

“Gjithashtu këto shkolla, duhet pajisur me mjete mbrojtëse dhe me lëndë djegëse, e përtej kësaj edhe duhet rishikuar sistemi i ngrohjes për secilin objekt dhe mirëmbajtja e tij. Ne po bëjmë përpjekje që sa më shpejtë të kryejmë detyrat tona në funksion të zbatimit të vendimit të Gjykatës, edhe pse praktikisht një gjë e tillë është e vështirë”, ka theksuar ajo.

Ditë më parë Gjykata Themelore ka kërkuar që të pezullohet vendimi i fundit të Komunës së Kamenicës për riorganizmin e shkollave.

Ky vendim përfshinë shkollat në fshatrat: Karaqevë e Epërme, e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë,  Poliçkë, Shipashnicë të Epërme, të Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell, Dajkoc kanë qenë pjesë e këtij vendimi.

Gjykata vendos ta pezullojë vendimin e fundit të Qëndron Kastratit për riorganizimin e shkollave