Mësimdhënësit e Prizrenit protestojnë për konkursin e rishpallur

Rreth 20 mësimdhënës të Prizrenit kanë protestuar sot para Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, si shenjë pakënaqësie për rishpalljen e një konkursi për angazhimin e rreth 50 mësimdhënësve për mësim klasor, pak muaj pasi që kjo e fundit e kishte anuluar.

Këta mësimdhënës ishin pranuar në konkursin e anuluar nga ana e DKA-së muaj më parë dhe se janë ankuar në institucionet përkatëse.

Ata kanë thënë se nuk do të aplikojnë në konkursin e rishpallur dhe kërkuan që në rast se faktohet se ka patur manipulime në konkursin e anuluar, përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Në emër të grupit të kandidatëve, Valon Xhoxhaj, ka thënë se kjo protestë është iniciuar pas hapjes së konkursit të ri nga komuna për vendet të cilat, ata pretendojnë se i kanë merituar dhe janë përzgjedhur mësimdhënës nga konkursi i anuluar.

Pas kësaj proteste, në takim i ka ftuar drejtoresha, Xhemile Thaçi- Vezgishi dhe i ka inkurajuar ata që të aplikojnë përsëri në konkursin e ri.

“Konkursi i ri, sipas ligjit të ri i përket Zyres së Personelit dhe në takim me kandidatët që u pranuan në konkursin e anuluar, iu kërkova atyre që të aplikojnë përsëri. Ankesat e kandidatëve janë të drejta dhe vërtetohen nga institucionet përkatëse, atëherë ne do t’i respektojmë ato përkundër faktit se do të kemi një situatë të re rreth kësaj çështje, dhe se do të angazhohemi për të menaxhuar sa më mirë me atë”, tha Thaçi- Vezgishi.

Me datë 06 shtator të këtij viti, drejtoresha e sapozgjedhur Xhemile Thaçi- Vezgishi, kishte marrë vendim dhe kishte anuluar disa konkurse që ishin hapur në muajin korrik të këtij viti.

Konkursi ishte anuluar me arsyetimin se gjatë konkursit kishte pasur shkelje të dispozitave ligjore gjatë procedurës së formimit të komisioneve përzgjedhëse.

Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka me datë 28 Gusht kishte shkarkuar Drejtorin e Arsimit Gani Gërmizaj, për dyshimet për parregullsi në konkursin për rreth 75 mësimdhënës.

 

Dyshime për parregullsi në konkurse, Mytaher Haskuka shkarkon drejtorin e NISMA-s

 

Shkarkimi i drejtorit Gani Gërmizaj kishte ndarë koalicionin ndërmjet NISMA-s dhe VV-së në Prizren, drejtori kjo që po del të jetë sfidë për kryetarin Haskuka, pasi që edhe para drejtorit  Gërmizaj, Skender Susuri kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë  nën arsyetimin se kishte pasur presione të mëdha për konkurse.

 

Shkarkimi i drejtorit, NISMA del nga koalicioni me Haskukën

www.kallxo.com